Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se nga sot (22 tetor) ka filluar procedurat përmbarimore ndaj të gjithë konsumatorëve që kanë borxhe të pashlyera për shërbimet e mbledhjes dhe transportit të mbeturinave.

Në njoftimin e kompanisë thuhet se ky vendim vjen pas përpjekjeve të vazhdueshme për arkëtimin vullnetar të borxheve përmes njoftimeve, paralajmërimeve dhe marrëveshjeve të riprogramimit, të cilat në shumë raste nuk janë respektuar nga konsumatorët, raporton Telegrafi.


Sipas “Pastrimit”, mospagesa e faturave ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë financiare të kompanisë dhe në cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen çdo ditë në kryeqytet dhe komunat tjera që mbulon kompania.

“Pastrimi” thekson se është i detyruar të zbatojë të gjitha mjetet ligjore për arkëtimin e të hyrave, përfshirë edhe procedurat përmbarimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Kompania u bën thirrje të gjithë konsumatorëve – amvisëri, biznese dhe institucione publike – që ende nuk kanë shlyer detyrimet e tyre financiare, ta bëjnë këtë sa më shpejt për të shmangur kostot shtesë që sjellin procedurat përmbarimore.

Pagesat mund të kryhen në sportelet e kompanisë, në institucionet financiare, apo përmes platformave elektronike të pagesave.

KRM “Pastrimi” thekson se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve efikase dhe transparente, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për ruajtjen e pastërtisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve publike. /Telegrafi/