KQZ: Përfundon verifikimi i rezultateve në 15 komuna, rinumërim në 41 vendvotime në Drenas

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në orën 13:00 të së martës është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas njoftimit të KQZ-së, verifikimi i rezultateve është përfunduar në komunat Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti.
Procesi i verifikimit, siç bëhet e ditur, po vazhdon në dy komuna të tjera, ndërsa në Qendrën Komunale të Numërimit të Mitrovicës së Jugut puna është ndërprerë “për arsyet që janë bërë të njohura nga njoftimi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.”
KQZ ka theksuar se do të vazhdojë të mbajë publikun të informuar në mënyrë të rregullt dhe transparente për çdo zhvillim lidhur me këtë proces.
Po ashtu, KQZ ka njoftuar se të martën, në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) do të nisë rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Vendvotimet që do të rinumërohen i takojnë zgjedhjeve për Kuvendin Komunal në Gllogoc,” thuhet në njoftim.
Lista e vendvotimeve që do të rinumërohen përfshin: 0324/01, 0325/01, 0322/01, 0320/01, 0318/02, 0317/04, 0317/03, 0316/02, 0312/02, 0310/03, 0310/02, 0304/01, 0321/01, 0324/03, 0327/01, 0315/02, 0316/01, 0308/01, 0320/02, 0306/01, 0301/05, 0301/04, 0328/02, 0326/03, 0311/03, 0340/03, 0311/05, 0310/01, 0323/03, 0322/0, 0323/02, 0311/01, 0330/01, 0324/02, 0317/01, 0317/02, 0324/02, 0309/01, 0309/02, 0310/05 dhe 0313/01. /Telegrafi/


















































