Kosova, viti që ngjalli ëndrrat

Viti 2025 ka qenë i jashtëzakonshëm për kombëtaren e Kosovës në futboll, ku përpos kualifikimit në play-offin e Kupës së Botës 2026 edhe u promovuan në Ligën B të Ligës së Kombeve.
“Dardanët” nën drejtimin e Franco Fodas ishin të shkëlqyer këtë vit, ku regjistruan shtatë fitore, dy barazime dhe vetëm një humbje.
Kualifikimi në Ligën B të Ligës së Kombeve
Kosova aventurën pozitive e nisi në Ligën B të Ligës së Kombeve pasi kishte përfunduar e dyta në ligën C të Ligës së Kombeve pak muaj më parë.
Aty u përballen me një skuadër të fortë fizike, Islandën, por regjistruan fitore komode në dy ndeshjet me rezultat 2-1 dhe 1-3 për të avancuar një rang më lartë, pra rezultati i përgjithshëm 2-5.

Fillimisht, “Dardanët” fituan me rezultat 2-1 në “Fadil Vokrri”, ndërsa si mysafir ishin edhe më të mirë për të fituar me rezultat 1-3, duke e siguruar biletën që të dërgon në ligën B.
Forma pozitive e Kosovës vazhdoi edhe në dy ndeshjet e muajit qershor, të cilat kuptohet ishin miqësore. Të dy takimet u zhvilluan në Prishtinë, ku Kosova fillimisht e ‘rrahu’ Armeninë me rezultat 5-2 e pastaj Ishujt Komore me rezultat 4-2.
Kështu, me një entuziazëm të madh Kosova shkoi në kualifikimin e Kupës së Botës, ku ishim në një grup me Zvicrë, Suedinë deh Slloveninë.
Këndellja e madhe për ta siguruar play-offin e Botërorit
Edhe pse entuziazmi i madh, Kosova e nisi në një mënyrë të keqe, pra u mposhtën thellë në Bazel, nga Zvicra, që fituan me rezultat 4-0.
Pas kësaj, shpresat te tifozët filluan të shuhen meqenëse në përballjen e dytë, ishte Suedia – për shumëkë pretendenti kryesor për t’u kualifikuar si vend i parë në Botëror.

Por, Franco Foda ndryshoi sistemin e lojës 3-5-2 dhe që atëherë ndryshoi e tërë loja. “Dardanët” zhvilluan një paraqitje mahnitëse në “Fadil Vokrri”, ku mposhtën Suedinë me rezultat 2-0, që ishte fitorja e parë e madhe ndaj një shteti që renditet në top 30 të botës.
Me tre pikët e para, Kosova s’iu ndal rezultateve pozitive. Në muajin tetor morën një pikë në shtëpi ndaj Sllovenisë, sfidë ku zhvilluan një paraqitje solide, por epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-0.
Kosova pastaj e dëshmoi se është një kundërshtar në ngritje, pasi mposhti në udhëtim Suedinë me rezultat 0-1.
Kualifikimin historik e kompletoi në muajin nëntor, atë në udhëtim te Sllovenia me rezultat komod 0-2, sfidë në të cilën edhe përzgjedhësi i tyre Matjaz Kek deklaroi se “na mposhtën dhe na rrahën në aspektin sportiv”.

Kosova ishte në garë edhe për kualifikimin direkt, por që i duhej një fitore e madhe prej gjashtë golave dallim, gjë që kuptohet nuk është e lehtë për t’u arritur kundër Zvicrës.
Foda vendosi t’i pushojë disa nga lojtarët kryesorë të cilët rrezikonin suspendimin dhe me një barazim 1-1 në Prishtinë, e përmbyllën vitin si pozitë e dytë me 11 pikë, që është rekord pikësh.
Mbi 20 vende ngritje në renditjen botërore të FIFA-s
Përpos suksesit në aspektin sportiv, Kosova kishte edhe një ngritje të madhe edhe në renditjen e shtëpisë së futbollit, FIFA.
Në shkurtin e vitit 2025, Kosova renditej në vendin e 102-të, ndërsa tani aktualisht zë vendin e 80-të.

Afrimet e reja e rritën nivelin e Kosovës
Pas përforcimit me Elvis Rexhbecajn e Fisnik Asllanin në vitin e kaluar, Kosova këtë vit i mori edhe disa yje të tjerë për ta ngritur edhe më shumë nivelin.
Në muajin shtator, Kosova e bindi Leon Avdullahun që ta refuzojë ftesën e Zvicrës si dhe Veldin Hoxhën, i cili ishte kapiten i grupmoshave U21 të Kroacisë.
Të dy mesfushorët menjëherë zunë vend në sistemin e Franco Fodas, ku Avdullahu është bërë i padiskutueshëm derisa Hoxha shihet si alternativa e parë në rast që mungon ylli i Hoffenheimit ose Rexhbecaj.

E më e bukura ishte një muaj më vonë, kur edhe Albian Hajdari vendosi të largohet nga Zvicra, edhe pse ishte ftuar disa herë në ekipin A për ta përfaqësuar Kosovën në nivelin ndërkombëtar.
Kosova veç mund të bëhet edhe më e fortë vitin tjetër pasi janë në negociata edhe me emra si Arijon Ibrahimovic, Diant Ramaj, Dardan ShabanHaxhaj dhe talentin Yll Gashi.
Objektivi i qartë për vitin 2026 – Kupa e Botës
Edhe pse ky vit ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm, Kosova nuk do të ndalet më kaq. Pra, objektivi është i qartë – kualifikimi historik në Kupën e Botës 2026.

“Dardanët” duhet t’i fitojnë dy ndeshje mjaftë të vështira në play-off për ta prerë biletën për Botëror. Fillimisht më 26 mars, jemi mysafir i Sllovakisë dhe në rast që triumfojmë atëherë do ta presim në Prishtinë, fituesin e gjysmëfinales tjetër Turqi – Rumani.
Finalja do të zhvillohej në “Fadil Vokrri” më 31 mars./Telegrafi


































