LAJMI I FUNDIT:

Kosova nuk e di se si shfrytëzohen pasuritë e saj!

Kosova nuk e di se si shfrytëzohen pasuritë e saj!

Çdo gjë që gjendet nën 50 centimetra thellësi i takon shtetit të Kosovës. Por, a po zbatohet ky parim? Nga disa burime jozyrtare, Telegrafi merr vesh se ka kanale ilegale nga Serbia, të cilat futen në territorin e Kosovës dhe eksploatojnë pasuritë nëntokësore të këtij vendi. Kur gjatë hapjes së tuneleve në minierën e kromit në Gjakovë, hyhet gabimisht në territorin e Shqipërisë, kjo e fundit u ka dërguar ultimatum autoriteteve jugosllave që ta minojnë atë kalim, gjë e cila edhe ka ndodhur. Por, Kosova fatkeqësisht nuk e ka këtë fuqi.

Ish-drejtori i “Trepçës”, Burhan Kavaja, nuk është në dijeni për këto kanale ilegale, teksa thotë se ka të tilla të shfrytëzuara nga veriu.

“Sa i përket minierave, ato s’janë ilegale, por janë legale dhe janë të licencuara nga Komisioni i Pavarur për miniera dhe minerale të Republikës së Kosovës, ku shfrytëzohen xeheroret si plumbi dhe zinku”, thotë ai për Telegrafin.


Analisti Nexhmendin Spahiu përmendi një rrugë të shfrytëzuar ilegalisht nga Serbia përmes minierës së “Cërnacit” e cila gjendet afro 11 kilometra në perëndim të Leposaviqit, ndërsa vendburimi i xeheve te plumbit dhe zinkut, si dhe shfrytëzimi i tyre, shtrihet në kufirin e Kosovës dhe Serbisë.

“Është një minierë e cila ndodhet në kufirin Kosovë-Serbi. Miniera e ‘Cerrnacit’ e ka hyrjen nga ana e Serbisë prej ku shfrytëzohen mineralet që janë në territorin e Kosovës”, thotë ai.

Sipas tij, kjo është një çështje e cila kërkon trajtim të veçantë, sepse xehet janë pasuri e Kosovës dhe do të duhet të ketë marrëveshje për këtë.

“Miniera e ‘Cërnacit’ është ekzistuese qysh para lufte, ndërsa gërryen brenda territorit të Kosovës”, thotë Spahiu. “Shfrytëzimi i saj bëhet akoma, sot e kësaj dite, pa marrëveshje”.

Drejtori i gjigantit “Trepça”, Ahmet Tmava, ka pohuar se disa burime minerare të Kosovës kanë dalje në Serbi.

”Është e vërtet që disa burime minerare kanë dalje në Serbi, mirëpo në pjesën e Kosovës aktiviteti minerar bëhet sipas licencës së dhënë nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe mbikëqyret nga ajo. Miniera e ‘Bello Bërdos’ dhe ‘Cërnacit’ veprojnë me licencë të KPMM-së”, ka deklaruar Tmava për Telegrafin.

Miniera e ‘Bello Bërdos’ është e vendosur afro 20 kilometra në verilindje të Leposaviqit.

Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve ka konfirmuar licencimin e dy minierave të cilat ndodhen në kufirin Kosove-Serbi:

“Duke u bazuar në Ligjin për Minierat dhe Mineralet, Bordi i KPMM-së në mbledhjen e mbajtur më datën 19.07.2013, ka aprovuar dy licenca të shfrytëzimit për kompaninë ‘Trepça nën Administrim të AKP-së’ për Minerale Metalike.

Njëra Licencë e shfrytëzimit është për Minierën e ‘Bello Bërdos’ dhe ka afat deri me datën 09.09.2015 dhe tjetra licencë e shfrytëzimit është aprovuar për minierën e ‘Cërnacit’ e cila po ashtu ka afat deri me 09.09.2015”, kanë thënë zyrtar të KPPM-së”.

Sa i përket se kush i mbikëqyrë këto dy miniera, meqë vendndodhja e tyre është mjaft delikate, zyrtarë të KPPM-së deklaruan:

“Sikurse të gjitha kompanitë tjera minerare të licencuara në Republikën e Kosovës, edhe Miniera e ‘Cërnacit’ dhe ‘Belloberdes’, ‘Trepça nën Administrim te AKP-së’, bazuar në Ligjin për Minierat dhe Mineralet, mbikëqyren nga Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, d.m.th. KPMM-ja”.

Neni 2, paragrafi 2 i Ligjit për Miniera dhe Minerale të Republikës së Kosovës thotë: Resurset minerale, pavarësisht nga prejardhja e tyre, forma ose gjendja fizike, që gjenden në brendësi të tokës apo në sipërfaqe të saj dhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, janë pronë e Republikës së Kosovës.

Resurset minerale, të cilat nxirren nga një Bartës i Licencës për Shfrytëzim të lëshuar në përputhje me këtë Ligj ose që është në fushëveprimin e nenit 85 të këtij ligji, kalojnë në pronësi të Bartësit të Licencës për Shfrytëzim në kohën e nxjerrjes dhe deponimit të tyre në sipërfaqe”.

Minierat e “Cërnacit” dhe “Bello Bërdos” janë pjesë e “Trepçës”. Sipas Ligjit për Minierat, ato janë pronë e Kosovës. Por, çështja e “Trepçës” vazhdon të jetë një nga çështjet më të komplikuara në vend, ndonëse me ligj gjithçka është e çartë.

Për herë të parë në historinë bashkëkohore të xehetarisë dhe industrisë, emri “Trepça” figuron me rastin e regjistrimit të saj si kompani britanike që u bë me 9 dhjetor 1927 në Londër. “Trepca Mines Limited” ishte pjesë e një kompanie të madhe e cila quhej “Selection Trust”, pronar i së cilës ishte Alfred Chester Beatty.

“Një grup i afaristëve britanikë, shumica inxhinierë, kishte bashkuar kapitalin dhe kishin blerë nga shteti jugosllav koncesionet e minierave të ‘Trepçës’. Kontrata e koncesionit ishte lidhur për një shfrytëzim 50 vjeçar të minierës së ‘Trepçës’, e cila atëherë përfshinte edhe minierat e Kopaonikut dhe atë të Zletovës. Në emër të shtetit jugosllav, kontrata ishte nënshkruar nga Radovan Pashiqi, por aksionet i mbante babai tij, Nikolla Pashiqi, i cili ishte edhe kryeministër i këtij shteti. Pronarët dhe udhëheqësit e bordit të kompanisë “Trepça” ishin: W.M. Kirkpatrick, A.H. Moreing, Bewick, E.A. Loring, J.F. Shipley, J. Jocelyn, Monck Monk dhe G.M. Leader”, thotë për Telegrafin autori i librit: “Lufta për Trepçën – sipas dokumenteve britanike”.

Po këta persona ishin edhe pronarë të një kompanie tjetër që posedonte disa miniera në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe e cila quhej “The Central European Mines Limited”. Pasi që “Trepça Ltd” ishte e regjistruar si kompani publike (aksionare), investime në te kishin bërë edhe 1500 persona fizikë dhe juridikë. Shumica e tyre ishin britanikë, por nuk mungonin as ata nga Franca, Gjermania dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore. Pos familjes Pashiq, në listën e aksionarëve vendas figuronin edhe tre shqiptarë me mbiemër Deva.

Deri në vitin 1929, kur filloi prodhimi, britanikët u morën me punët përgatitore. Ata ndërtuan termocentralin, teleferikun, rrugët dhe kryen hulumtimet e nevojshme gjeologjike, gjeofizike dhe gjeografike duke lënë pas statistika dhe detaje tjera mahnitëse në lidhje me rezervat e xeheve dhe mundësitë e eksploatimit dhe përpunimit të tyre. Si shtesë, për herë të parë në Ballkan, gjegjësisht në Mitrovicë u ndërtua fusha e tenisit, pishina olimpike, dhe ndërtesat e banimit të punëtorëve të shoqëruara me të gjitha elementet përcjellëse që për rrethanat ballkanike krijonin një lloj çudie.

E drejta e shfrytëzimit të minierës, britanikëve u është ndërprerë në mënyrë të paligjshme në vitin 1941. Në këtë vit, gjermanët, për shkak të rëndësisë që kishte “Trepça”, okupuan vetëm këtë pjesë të Kosovës. Nga ky moment e deri në vitin 1944, gjermanët e shfrytëzuan minierën dhe prodhimet e saja për makinerinë e tyre të luftës. Ndërsa, si në ditët e sotme, kufiri veri-jug i Mitrovicës ishte pikërisht te ura e Ibrit.

Pas vitit 1945, “Trepça” bie në duar të komunistëve.

Kombinati “Trepça” në Mitrovicës ishte organizatë e punës së bashkuar, në kuadër të së cilës përfshiheshin 26 organizata punuese, me 44 OTHPB, që numëronte 23.644 punëtorë. Veprimtaria e tij ishte shtrirë në 16 komuna në mbarë territorin e ish-Jugosllavisë. Gjatë 58 vjetëve veprimtarie. “Trepça” ka prodhuar 33 milionë tonë xehe të plumbit dhe të zinkut. “Trepça”, si bartëse e prodhimtarisë metalurgjike, kishte marrë mbi vete edhe hulumtimet gjeologjike thujse në tërë rajonet e ish- Jugosllavisë.

Ndryshe, dihet se prodhimet e “Trepçes”, si lëndë e parë, janë shfrytëzuar në sasi shumë të mëdha edhe për ndërmarrjet e republikave dhe krahinave të ish-Jugosllavisë, bile me çmime shumë më të ulëta sesa kushtonin. Kështu, produktet e “Trepçës” në këtë mënyrë, i kanë shfrytëzuar industritë përkatëse, jo vetëm të Serbisë, por edhe ato të Kroacisë.

Pas përfundimit të luftës në kombinatin “Trepça” janë shfaqur shumë probleme serioze. Në radhë të parë, këto probleme dalin si rezultat i spekulimeve të shumta lidhur me atë se kush është në të vërtetë pronar i “Trepçës”. Serbët që nga fillimi pohojnë se “Trepça” është ndërmarrje private. Aksionarë të “Trepçës”, sipas tyre, shfaqen edhe ndërmarrjet jugosllave: Fondi për zhvillim i Serbisë, “Projmetali”, “Geneksi”, ” Jugometali”, “Jugobanka”, “Beobanka” dhe ZEPS – i. Përveç këtyre, janë parashtruar edhe tri kërkesa nga kompanitë e huaja që pretendojnë se janë pronarë të “Trepçës”, si: “Mytelinos” nga Greqia, SCMN nga Franca dhe Bullgaria. Këto kompani kanë kredituar në kohën kur Jugosllavia ishte nën embargo dhe nga subjektet e atëhershme politike të Kosovës iu është tërhequr vërejtja që të mos hyjnë në këto projekte kredituese, ngaqë në këtë mënyrë po e financojnë luftën në Kosovë.

Pala shqiptare, në mënyrë fare të argumentuar, gjithnjë ka pohuar se “Trepça” iu takon punëtorëve dhe se edhe sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së prona e “Trepçës” i takon Kosovës e jo Serbisë.

Kemi të bëjmë me dy “Trepça”, sipas mendjes serbe dhe shqiptare. E para përfshin edhe minierat në Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa ajo shqiptare vetëm brenda Kosovës:

Sipas vlerësimeve serbe, nëse minierat në Kosovë dhe jashtë saj (në Mal të ZI e Serbi) grumbullohen së bashku, kështu do të dukej gjendja e pasurive të minierave në përqindje:

“Stantërgu” (plumb dhe zink, ndër minierat më të pasura në Evropë) paraqiste në vitin 1989 40-50 për qind të vlerave të xehes dhe në këtë përqindje edhe shfrytëzoheshin gjatë dekadës së kaluar.

“Hajvalia”, “Novobërda”, “Kishnica”, “Badovci” paraqisnin rreth 30 për qind të pasurisë me xehe që shfrytëzohej për prodhim.

“Cërnaci” dhe “Bello Bërda” janë tash në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila kontrollohet nga serbët dhe xehet e këtyre dy minierave përpunohen në Leposaviq e pastaj në Zveçan.

Tri minierat e tjera jashtë Kosovës, në Serbi dhe Mal të ZI paraqesin pjesë tjetër të pasurisë me xehe prej 30 për qind.

Sipas vlerësimeve shqiptare, rezervat e tërësishme në Kosovë janë më të shumtat në Stantërg (63 për qind), që varësisht nga kapaciteti prodhues, do të mund të shfrytëzohen deri në 40 vjet. Në këto rezerva pjesëmarrjen më të madhe e kanë rezervat në trupin xeheror të Stantërgut (74 për qind), kurse rezervat në Zjaqë 18 për qind dhe në Melenicë me 8 për qind, kërkojnë punime të hapjes.

Problem për “Trepçën” është natyrisht edhe fakti se në veri është shkritorja, tek e cila autoritetet e Kosovës nuk kanë kontroll. Prandaj, edhe versioni që po përmendet për zgjidhjen e çështjes së “Trepçës”, është ai publiko-privat.

Kavaja që në “Trepçë” i ka kaluar 51 vjet, ka thënë më parë se “Trepçën”, përveç Serbisë, e ka mbajtur peng edhe mafia që operon edhe në pjesën veriore e edhe në atë jugore.

Kavaja ndër të tjera të tjera ka theksuar se kanë pasë projekt që pas luftës, me pesë milionë marka ta kthejnë prodhimin e “Trepçës”, por se kjo ka qenë “e pamundur pasi politika ka qenë e painteresuar për këtë”.

Ndërkaq, Gazmend Abrashi, djali i ish drejtorit të “Trepçës”, Aziz Abrashi, në një shkrim autorial për Telegrafin ka thënë se kostoja e revitalizimit të “Trepçës” shkon afër 130 milion euro për ndërtimin e shkritores, revitalizimine e elektrolizës së zinkut dhe revitalizimin e flotacioneve dhe të minierave.

“Me këtë do të sigurohej vlera e prodhimit material në afër 120 milionë euro në vjet dhe do të ishin punësuar afër 5600 punëtorë”, ka thënë ai. /Elfije Boletini/Telegrafi/