LAJMI I FUNDIT:

Kosova cak i sulmeve kibernetike: Kush qëndron pas tyre dhe si mund të ndalen?

Kosova cak i sulmeve kibernetike: Kush qëndron pas tyre dhe si mund të ndalen?

Kosova është përballur me një numër në rritje të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve të saj publike gjatë viteve të fundit.

Disa prej këtyre sulmeve dyshohet se janë kryer nga grupe hakerësh pro-rusë, të cilët synojnë të destabilizojnë sistemet shtetërore dhe të ndikojnë në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Një nga sulmet më të fundit u raportua më 9 shkurt, gjatë natës së zgjedhjeve parlamentare, duke prekur platformën e publikimit të rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).


Megjithatë, as KQZ-ja, as Ministria e Brendshme dhe as Prokuroria e Shtetit nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi këtë incident.

Rritja e kërcënimeve kibernetike

Sulmet kibernetike nuk kanë kursyer as individët, as bankat dhe as faqet zyrtare të institucioneve të Kosovës.

Rastet më të rënda u shënuan në vitin 2018 dhe 2024, ku sulmet u morën përsipër nga grupe hakerësh si “ServerKillers”, “DixhitalRevolt” dhe “Matryoshka44”.

Në disa raste, këto grupe kanë përdorur kanale në Telegram për të marrë përgjegjësinë për sulmet dhe për të publikuar paralajmërime për Kosovën.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Blerton Abazi, thotë se identifikimi dhe kapja e këtyre grupeve është e vështirë, pasi ato fshehin adresat IP dhe përdorin rrjete të koduara për komunikim.

“Në disa raste, shërbimet e sigurisë mund t’i gjurmojnë përmes publikimeve të tyre në rrjetet sociale”, shtoi ai.

Problemet teknike apo sulme të organizuara?

Profesor Blerim Rexha nga fusha e Inxhinierisë Kompjuterike thekson se në disa raste problemet me sistemet online nuk lidhen drejtpërdrejt me sulme kibernetike, por me konfigurime joadekuate të faqeve.

Sipas tij, platforma e KQZ-së mund të ketë pasur nevojë për optimizime teknike që do të parandalonin ndërprerjen e shërbimeve gjatë procesit zgjedhor.

Nga ana tjetër, kompania Cactus, e cila kishte zhvilluar aplikacionin për përpunimin e rezultateve zgjedhore të KQZ-së, konfirmoi se faqja ishte shënjestër e sulmeve të vazhdueshme gjatë natës së zgjedhjeve dhe ditën pas saj.

Megjithatë, përgjegjësia për mbrojtjen e kësaj platforme i takonte Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), që menaxhon infrastrukturën digjitale të Kosovës.

Kush duhet ta mbrojë Kosovën nga sulmet kibernetike?

Për momentin, siguria kibernetike në Kosovë është në duart e disa institucioneve: ASHI-së, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Njësisë për Krime Kibernetike në Policinë e Kosovës dhe Njësisë Kombëtare për Siguri Kibernetike.

Megjithatë, sipas Ligjit të ri për sigurinë kibernetike, Kosova pritet të themelojë një Agjenci të posaçme për Siguri Kibernetike, e cila do të funksionojë brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministria e Brendshme nuk ka dhënë ende një përgjigje lidhur me funksionalizimin e kësaj agjencie.

Në dhjetor të vitit 2024 ishte hapur një konkurs për drejtuesin e saj, por ai u anulua për shkak të mosplotësimit të kritereve.

A mjafton mbrojtja aktuale?

Kodi Penal i Kosovës e përcakton qartë hyrjen e paautorizuar në sistemet kompjuterike si vepër penale, dhe sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2022 deri më tani janë regjistruar mbi 500 raste të tilla. Megjithatë, numri i sulmeve mund të jetë edhe më i madh, duke marrë parasysh rastet që nuk raportohen apo ato që mbeten të pazbuluara.

Analisti i inteligjencës kibernetike, Nedelëqo Mihajllov, nga organizata CyberPi, thotë se qëllimi kryesor i këtyre sulmeve është të destabilizojnë institucionet dhe të ulin besimin e qytetarëve në to. “Sulmet e organizuara synojnë ndërprerjen e shërbimeve jetike, duke krijuar panik dhe pasiguri mes popullsisë,” thekson ai.

Duke marrë parasysh këto sfida, ekspertët e sigurisë theksojnë nevojën urgjente për investime në mbrojtjen kibernetike dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë. Kosova duhet të marrë masa të shpejta për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen dhe për të garantuar një infrastrukturë digjitale të sigurt për qytetarët e saj./Radio Evropa e Lirë/

Në trend Lajme

Më shumë
A u cenua identiteti i agjenteve nga Osmani? – Presidenca e Kosovës sqaron publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së

A u cenua identiteti i agjenteve nga Osmani? – Presidenca e Kosovës sqaron publikimin e fotografisë me gratë e AKI-së

Lajme
Kurti akuzon Serbinë për manipulim të zgjedhjeve në Kosovë - thotë se rolin kryesor e patën Vuçiq edhe Radoiçiq

Kurti akuzon Serbinë për manipulim të zgjedhjeve në Kosovë - thotë se rolin kryesor e patën Vuçiq edhe Radoiçiq

Lajme
Arben Gashi i LDK-së kërkon rinumërimin e të gjitha votave

Arben Gashi i LDK-së kërkon rinumërimin e të gjitha votave

Lajme
Kurti: Rashiq u kërcënua nga kryeterroristi Milan Radoiçiq

Kurti: Rashiq u kërcënua nga kryeterroristi Milan Radoiçiq

Lajme
Nis rikonstruksioni i rrugës së Komanit, banorët: E kemi pritur prej vitesh këtë ditë

Nis rikonstruksioni i rrugës së Komanit, banorët: E kemi pritur prej vitesh këtë ditë

Lajme
A do të jenë pakicat pjesë e qeverisë? Përgjigjet Kurti

A do të jenë pakicat pjesë e qeverisë? Përgjigjet Kurti

Lajme
Kalo në kategori