Kontrolle në zyrat e Deutsche Bank në kuadër të hetimit për pastrim parash

Policia federale gjermane ka kontrolluar zyrat e Deutsche Bank në Frankfurt dhe Berlin që nga mëngjesi i së mërkurës, me bastisje të urdhëruara nga prokurorët në Frankfurt.
Rreth 30 hetues thuhet se hynë në selinë e bankës në Frankfurt me rroba civile, sipas Der Spiegel, e cila raportoi i pari lajmin.
Një tjetër vendndodhje e Deutsche Bank në Berlin u kontrollua gjithashtu, transmeton Telegrafi.
Prokurorët thonë se po hetojnë menaxherë dhe punonjës të panjohur të Deutsche Bank nën dyshimin për pastrim parash.
Besohet se banka ka pasur marrëveshje biznesi me kompani të huaja që mund të jenë përdorur për të pastruar para.
Media Süddeutsche Zeitung ka raportuar se çështja mund të përfshijë një ish-klient të njohur të bankës: miliarderin rus Roman Abramovich.
Abramovich ka qenë nën sanksione të BE-së që nga marsi 2022 për shkak të lidhjeve të tij me presidentin Vladimir Putin.
Autoritetet po shqyrtojnë nëse Deutsche Bank mund të ketë dështuar të trajtojë siç duhet kontrollet kundër pastrimit të parave në transaksionet e kaluara që e përfshijnë atë.
Një fokus i hetimit, sipas Süddeutsche Zeitung, është nëse transaksionet e dyshimta u janë raportuar autoriteteve shumë vonë.
Bankat janë të detyruara të raportojnë menjëherë çdo pagesë të dyshimtë, dhe mosveprimi në këtë drejtim mund të çojë në gjoba.
Deutsche Bank konfirmoi se po kryhen kontrolle dhe tha se po bashkëpunon plotësisht me prokurorët. Zyra e prokurorit të Frankfurtit nuk pranoi të jepte detaje rreth marrëdhënieve të biznesit ose transaksioneve nën hetim.
Kontrollet vijnë vetëm një ditë para se Deutsche Bank të paraqesë rezultatet e saj vjetore, ku pritet të shpallë fitimin e saj më të lartë në shumë vite.
Aksionet e Deutsche Bank ranë mbi 3.65% pas lajmit, pasi u tregtuan rreth 3% më poshtë para këtij zhvillimi. /Telegrafi/




















































