Kryepalamentari Glauk Konjufca ka abstenuar sërish sot në momentin kur është hedhur në votim Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Konjufca ka dhënë arsyet se përse ka abstenuar sot dhe në seancën e kaluar.


“Do të abstenoj edhe sot, sepse më duket korrekte që meqë vet e kam dërguar të pres përfshirjen e këtyre opinioneve të Komisionit të Venecias nga komisioni funksional, dhe jam shumë i bindur që këtë punë mund ta kryej komisioni funksional. Komisioni i cili e trajton mendoj që e ka aftësinë me i përfshi këto opinione të Komisionit të Venecias”, tha Konjufca.

Ai shtoi se mendimi i tij është se kjo punë mund të kryhet përmes komisionit, kurse opozita mendon që kjo nuk mund të bëhet.

Kjo përgjigje nuk i pëlqeu nënkryetarit të Kuvendit nga LDK-ja, Kujtim Shala, i cili tha se kryeparlamentari ka mendim të njëjtë me Qeverinë.

“Nuk është e mjaftueshme… Ju e keni mendimin që e ka Qeveria dhe s’më duket në rregull”, tha Shala.

Deputeti i LDK-së tha se duket se “s’ka garantues” në këtë proces, duke iu referuar Konjufcës.

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare ka miratuar në parim Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, pasi që patën kundërshtime të ashpra rreth këtij Projektligji. /Telegrafi/