Site icon Telegrafi

​Konjufca: Heroizimi i dëshmorëve në Dukagjin, udhërrëfyes për brezat e ardhshëm

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në shënimin e 26-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, ka bërë homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan,

Konjufca thotë se dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj kanë rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore serbe, transmeton Telegrafi.

“Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë. Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë”, thotë kryetari i Kuvendit.

Në postimin e bërë në Facebook, Konjufca ka shkruar se “Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë”.

“Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë. Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.

Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, thotë mes tjerash ai./Telegrafi/

Exit mobile version