Konflikti Tajlandë-Kamboxhi, më shumë se gjysmë milioni të evakuuar

Gjysmë milioni të evakuuar në Kamboxhia dhe Tajlandë u strehuan në shkolla dhe vende të tjera të sigurta të mërkurën, pasi ikën nga përleshjet e reja kufitare, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump u zotua të ndërhyjë për të ndaluar luftimet.
Të paktën 15 persona, përfshirë ushtarë tajlandezë dhe civilë kamboxhianë, janë vrarë në armiqësitë e fundit, thanë zyrtarët, ndërsa më shumë se 500,000 njerëz janë larguar nga zonat kufitare pranë vendit ku aeroplanët, tanket dhe dronët po zhvillonin luftime.
Bëhet e ditur se përleshjet e kësaj jave janë më vdekjeprurëset që nga pesë ditët e luftimeve në korrik, të cilat vranë dhjetëra persona përpara se të arrihej një armëpushim i paqëndrueshëm, pas ndërhyrjes së Trumpit, shkruan the Guardian.
Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për rindezjen e konfliktit , i cili është zgjeruar në pesë provinca si të Tajlandës ashtu edhe të Kamboxhias.
Trump tha se do të telefononte udhëheqësit e Tajlandës dhe Kamboxhias dhe parashikoi se mund t’i zgjidhte armiqësitë “shumë shpejt”.
"Mendoj se mund t'i bëj të ndalojnë së luftuari. Kush tjetër mund ta bëjë këtë", tha Trump.
Ndryshe, SHBA, Kina dhe Malajzia, si kryesuese të bllokut rajonal ASEAN, ndërmjetësuan një armëpushim në korrik .
Në tetor, Trump mbështeti një deklaratë të përbashkët pasuese, duke promovuar marrëveshje të reja tregtare me Tajlandën dhe Kamboxhian, pasi ato ranë dakord të zgjasin armëpushimin e tyre.
Por Tajlanda e pezulloi marrëveshjen muajin pasardhës. /Telegrafi/

















































