Me iniciativë të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe përmes një partneriteti ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, me mbështetjen e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, në kryeqytet do të mbahet Konferenca e Investitorëve Amerikanë.

Sipas njoftimit, kjo konferencë do të mbledhë investitorë, politikëbërës dhe liderë të industrisë nga data 28 deri më 30 prill 2026.


Në njoftimi e Odës thuhet se “Konferenca e Investitorëve Amerikanë 2026 lidh investitorët amerikanë dhe globalë me projekte strategjike në Prishtinë, duke hapur mundësi në infrastrukturë, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm urban”.

Po ashtu, theksohet se “me pjesëmarrjen e korporatave dhe agjencive amerikane, diasporës, partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve lokalë, konferenca synon të krijojë rrugë konkrete për investime dhe bashkëpunim afatgjatë”.

Për këtë ngjarje ka shkruar edhe vetë kreu i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se kështu, Kosova po hyn në hartën e kapitalit global.