Komuniteti i PAK-ve në Prizren i konsideron mediat aleate, por vlerëson se duhen më shumë zëra aktivë

Komuniteti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Prizren ka vlerësuar se përfaqësimi i tyre në mediat lokale është në nivel të kënaqshëm, megjithëse ka hapësirë edhe për përmirësime.
Megjithatë në këtë aspekt kanë vlerësuar se nevojitet guxim edhe më i madh nga ana e PAK-ve për adresimin e shqetësimeve të tyre në media, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për sfidat e ndryshme.
Merita Shala nga shoqata “Handikos” në Prizren ka theksuar se mediat lokale në Prizren janë aleate të PAK-ve sa i përket informimit por edhe kërkimit të llogarisë nga institucionet.
“Por edhe komuniteti ynë duhet ta ngrejë zërin, pa ndonjë ngurrim, apo frikë se do të ketë masa ndaj tyre”, është shprehur Shala, raporton Telegrafi.
Kolegu i saj, Shkodran Qollopeku ka pohuar se ka raste kur PAK-të hezitojnë që të adresojnë problemet e tyre në media, apo të përfshihen në diskutime mediale, nga frika se mund të humbin të drejtën në pension.
Anëtarët tjerë të këtij komuniteti kanë folur për sfidat e tyre të përditshme dhe kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me përfshirjen e PAK-ve në mediat lokale, por edhe ato qendrore.
Ndërkaq, Nuhi Salihu, redaktor në Televizionin e Prizrenit, ka bërë të ditur se ky medium përpiqet që të ofrojë platformën e nevojshme për të gjitha kategoritë e shoqërisë, me qëllim që përmes raportimit profesional të gjenden zgjidhjen adekuate për problemet e tyre dhe të fuqizohet roli i tyre në shoqëri, raporton Telegrafi.
Takimi me komunitetin e PAK-ve është realizuar nga Televizioni i Prizrenit në kuadër të projektit “Përmirësimi i përfaqësimit medial dhe luftimi i dezinformimit në Prizren” që realizohet me përkrahjen nga Kosovo 2.0, falë mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian. Projekti synon të përmirësojë përfaqësimin dhe diversitetin në media në qytetin e Prizrenit. /Telegrafi/





















































