Komuna e Ferizajt shpërndan 260 koshere bletësh dhe pajisje mbrojtëse për bletarët lokalë

Komuna e Ferizajt, përmes Drejtorisë së Bujqësisë, ka shpërndarë sot 260 koshere me bletë ushqyese, si dhe 20 pajisje mbrojtëse dhe sisteme kundër kafshëve të egra për bletishtet e bletarëve ferizajas.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se kjo nismë synon të mbështesë zhvillimin e sektorit të bletarisë dhe të inkurajojë prodhimin vendor të mjaltit dhe produkteve të tjera natyrore, raporton Telegrafi.
“Ferizaj ka potencial të madh në bujqësi dhe bletari, prandaj po vazhdojmë ta mbështesim këtë sektor që sjell të ardhura për familjet tona dhe ndihmon ekonominë lokale”, ka theksuar Aliu.
Kjo është një nga seritë e mbështetjeve që Komuna e Ferizajt po realizon për bujqit dhe bletarët gjatë këtij viti, me synim forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe promovimin e bujqësisë së qëndrueshme në nivel lokal. /Telegrafi/



















































