Ekzekutivi i Komunës së Shtimes nëpërmjet një operatori ekonomik në vlerë prej 4 mijë e 928 eurosh, ka planifikuar t’i realizon disa trajnime për zyrtarët komunal në disa vende jashtë Kosovës, pikërisht në: Budvë, Kotorr, Tivar dhe Shkodër.

Sipas kontratës së prokurimit të datës 10 prill, të cilën e ka siguruar Telegrafi, një operator ekonomik nga Dragashi e ka organizuar këtë aktivitet.


Burime nga administrata komunale në Shtime, kanë treguar se kjo nuk është hera e parë që aktivitete të tilla mbahen jashtë vendit.

Sipas marrëveshjes me operatorin ekonomik, nisa në këto trajnime fillon më 18 prill në ora 13:00, ndërkohë më 19 prill, Vizitë në Budvë, Kotorr dhe Tivar, më 20 prill në Lumin Buna, më 21 prill në Shkodër dhe Patok.

“Procedura është udhëhequr në pajtim me ligjin Nr.04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës. Tenderi juaj është vlerësuar me kujdes sipas ushteve dhe kërkesave të dhëna në njoftimin për kontratë dhe në dosje të tenderit. Ju keni dorëzuar tenderin me çmimin më të ulët prej 4,928.00 euro si dhe përgjigje ndaj kërkesës për aktivitetin e prokurimit të lartcekur”, thuhet në dosje, të cilën e ka siguruar Telegrafi.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe opozita PDK në Shtime, e cila e ka cilësuar këtë aktivitet si ekskursion dhe pushime në bregdet prej katër ditësh.

“Shpenzimi i gati 5 mijë eurove nga Kryetari Qemajl Aliu dhe stafi i tij politik për një udhëtim turistik katër ditor në bregdet, nën petkun e “trajnimit”, është turp dhe tallje me qytetarët e Shtimes. Në vend që të adresojë mungesat elementare në arsim e shëndetësi, Aliu po e përdor paranë publike për qejfe personale e grupore. Kjo është edhe një dëshmi e papërgjegjësisë, arrogancës dhe shkëputjes totale nga hallet e qytetarëve. PDK në Shtime kërkon përgjegjësi të menjëhershme dhe transparencë të plotë për këtë keqpërdorim të parasë publike”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas këtij subjekti Kryetari Qemajl Aliu dhe drejtoria përkatëse nuk kanë dhënë asnjë sqarim publik për këtë shpenzim, i cili sipas tyre ngrit dyshime serioze për keqpërdorim të parasë publike dhe mungesë të plotë transparence.

Në anën tjetër Telegrafi ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga kryetari i Shtimes Qemajl Aliu, por ai nuk ka qenë i qasshëm./Telegrafi/