Kryetari i Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur se sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e 50 shtëpive për familjet që përfitojnë asistencë sociale, projekt ky që po realizohet në bashkëpunim me Shoqatën Jetimat e Ballkanit.

Sipas njoftimit, nga gjithsej 50 shtëpitë e planifikuara, 35 do të ndërtohen në Lagjen e Trimave në Prizren, ndërsa 15 të tjera do të ndërtohen në pronat private të familjeve që janë raste sociale.


Ky projekt synon përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet në nevojë dhe forcimin e solidaritetit social, duke ofruar strehim të qëndrueshëm për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. /Telegrafi/