Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se në shtatë raste Komuna e Drenasit kishte filluar procedurat e prokurimit dhe kishte lidhur kontrata pa hartuar projekt ekzekutiv.

Këto shtatë projekte janë në vlerë totale 1,044,960 euro dhe ato janë:


Projekti “Ndërtimi i aneksit të ShFMU “Rilindja” në Dobroshec me vlerë të kontraktuar 26,975 euro;

Projekti “Asflatimi i rrugëve në fshatin Sankoc, Fushticë e Epërme dhe e Ulët” lloti II me vlerë të kontraktuar 101,866 euro;

Projekti “Asflatimi i rrugëve Komoran I II III dhe IV” lloti I me vlerë të kontraktuar 111,222 euro;

Projekti “Asfaltimi i rrugëve dhe kubëzimi Drenasi I II III dhe IV” lloti III me vlerë të kontraktuar 173,280 euro;

Projekti “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Nekoc dhe Kishnarek” me vlerë të kontraktuar 139,702 euro;

Projekti “Rregullimi i trotuarit dhe ndriçimit publik Drenas Komoran Arllat Terstenik Dobroshec dhe Baincë” më vlerë të kontraktuar 221,970 euro;

Projekti “Ndërtimi, zgjerimi dhe rikonstruimi i rrugëve të asfaltuara në Drenas” me vlerë të kontraktuar 269,945 euro.

Fillimi i procedurave të prokurimit dhe lidhja e kontratave pa hartuar projekte ekzekutive, ZKA thotë në raportin e tyre për Komunë të Drenasit në vitin 2024, se ka ndodhur si rezultat i mungesës së planifikimit të duhur para fillimit të procedurave të prokurimit, duke përfshirë mungesën e hartimit të projektit ekzekutiv për projekte specifike.

“Mungesa e projektit ekzekutues mund të shkaktoj vështirësi në realizimin e projekteve gjatë fazës së ekzekutimit dhe rritë rrezikun që gjatë procesit të ekzekutimit të projekteve të paraqiten pengesa të ndryshme si në aspektin profesional, ashtu edhe në vonesat e punimeve apo edhe në rritjen e kostove të projekteve” – thuhet në raportin e ZKA-së për Drenasin.

Për rrjedhojë, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që të sigurojë forcimin e kontrolleve dhe të monitoroj zbatimin e kërkesave ligjore, që me rastin e inicimit të procedurave të prokurimit për kontraktimin e punëve të sigurohet paraprakisht hartimi i projekteve në përputhje me nevojat dhe kërkesat e parashikuara.

Komuna e Drenasit është pajtuar me këtë gjetje të auditorit.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar Komunës së Drenasit në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2024. Opinioni i kualifikuar është opinioni i dytë më i mirë që iu jepet institucioneve pas opinionit të pamodifikuar. Ky opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në pasqyrat financiare.

Baza e opinionit të kualifikuar të ZKA-së për Komunën e Drenasit kanë qenë gjetjet si: keqklasifikimi i shpenzimeve, nënvlerësimi i pasurive jokapitale, mangësi në pranimin e shërbimeve, mangësi në zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit, tejkalime kontraktuale dhe mangësi në fushën e të hyrave.

Në raportin e vitit 2024, Komuna e Drenasit ka marrë 11 rekomandime, prej tyre 7 janë rekomandime të reja dhe 4 të përsëritura.

Zyra Kombëtare e Auditimit në vitin 2023 i kishte dhënë Komunës së Drenasit kishte marrë 5 rekomandime kryesore. Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2024, një rekomandim është zbatuar dhe 4 nuk janë adresuar ende.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Drenasit në vitin 2024 mund të gjeni KËTU.