Komuna e Drenasit apelon për ndaljen e zjarreve të qëllimshme, paralajmëron masa ndëshkuese

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për ndaljen e zjarreve të qëllimshme dhe rritjen e kujdesit nga ana e qytetarëve, duke theksuar rrezikun që këto veprime paraqesin për jetën, pronën dhe mjedisin.
Sipas njoftimit zyrtar, drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, së bashku me zyrtarë komunalë, ka zhvilluar një vizitë pune në Njësitin Profesional të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, ku është diskutuar për angazhimin e vazhdueshëm të zjarrfikësve dhe sfidat me të cilat ata përballen në terren.
Gjatë takimit, theks i veçantë i është dhënë rasteve të shpeshta të ndezjeve të qëllimshme, veçanërisht djegies së mbeturinave dhe shkurreve gjatë pastrimit të oborreve dhe tokave bujqësore.
“Këto veprime, si dhe çdo hudhje e papërgjegjshme e mbeturinave, përbëjnë rrezik serioz për jetën e qytetarëve, pronën dhe mjedisin, si dhe shkaktojnë angazhim të panevojshëm të shërbimeve emergjente”, thuhet në njoftim.
Nga komuna u është bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes të shtuar, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet me seriozitet.
“Çdo ndezje e qëllimshme apo hudhje e mbeturinave në kundërshtim me rregullat do të trajtohet me seriozitet dhe ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thekson njoftimi.
Sipas autoriteteve komunale, gjobat për këto shkelje, bazuar në Ligjin nr. 08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-060 për mbeturina, sipas nenit 49, pikat 1.1 deri në 1.7, arrijnë deri në 500 euro.
Komuna ka apeluar për bashkëpunim qytetar në mënyrë që të ruhet një mjedis i pastër dhe i sigurt për të gjithë. /Telegrafi/




















































