Një kolon izraelit i maskuar thuhet se ishte ai që rrahu një grua të moshuar palestineze duke e lënë pa ndjenja ndërsa ajo po mblidhte ullinj në pronën e saj.

Sulmi i paprovokuar, i cili u kap në kamera nga një gazetar amerikan, ndodhi të dielën në mëngjes në fshatin palestinez Turmus Ayya, në verilindje të Ramallahut në Bregun Perëndimor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Jasper Natheniel tha se koloni izraelit e rrëzoi gruan 55-vjeçare palestineze duke e lënë pa ndjenja me një shkop përpara se ta godiste përsëri ndërsa ajo binte në tokë.

Në video, e cila është bërë virale, gruaja shihet duke rrjedhur gjak ndërsa transportohet në një automjet për t'u çuar në spital.

Nathaniel po shoqëronte një grup palestinezësh duke mbledhur ullinj, së bashku me aktivistët që kishin mbërritur për t'i mbështetur ata.

Sulmi ishte pjesë e një incidenti më të gjerë në të cilin të paktën 15 kolonë të maskuar u panë duke hedhur gurë dhe duke sulmuar palestinezë të tjerë që po mblidhnin ullinj.

Incidenti i dokumentuar ka shkaktuar zemërim për dhunën e kolonëve kundër palestinezëve gjatë sezonit të korrjes së ullinjve.

Sulmet e kolonëve shpesh përfshijnë të shtëna me armë zjarri, rrahje, zjarrvënie dhe shkulje të pemëve të ullirit, madje edhe dëbim me forcë të fermerëve nga tokat e tyre - shpesh nën mbrojtjen e ushtarëve izraelitë. /Telegrafi/