“Klithma” që nuk shuhet

Libri i ri i Alketa Gashi Fazliu sjell zërin e fëmijëve të luftës, të rritur sot, por me plagë që flasin ende
“Klithma” është libri më i ri me klithmat dëshmuese të një lufte që e harron vetëm autori dhe shkaktuesi i saj, por që e ka të tatuuar, të paheqshëm, në shpirt një popull i tërë me martirë dhe lëndime.
Në faqet e këtij libri rrëfehen historitë e fëmijëve, sot në moshë madhore, të gjymtuar nga bombat dhe minat e një shteti shovinist.
Këto rrëfime mbartin dritën e fjalës dhe të ndërgjegjes së viktimave-fëmijë, të cilët sot, si të rritur, kërkojnë një botë më të bukur, më të drejtë dhe me shpirt njerëzor.
Janë heronj të heshtur, për të cilët krenaria nuk vjen nga fjalët e mëdha, por nga qëndrueshmëria përballë dhimbjes dhe nga jeta që vazhdojnë ta ndërtojnë çdo ditë, si qytetarë të Kosovës sime, rrëfen autorja me një zë që vjen nga thellësia e kujtesës dhe përgjegjësisë morale.
Ky libër nuk është vetëm dëshmi, por edhe kujtesë morale. Ai i fton lexuesit të mos harrojnë se pas çdo plage ka një histori jete, pas çdo heshtjeje një klithmë dhe pas çdo fëmije të gjymtuar - një forcë njerëzore që refuzon të dorëzohet.“Klithma” është thirrje për ndërgjegje, drejtësi dhe empati.
Autorja, Alketa Gashi Fazliu, është një emër i njohur në letërsinë shqipe, me disa libra të botuar më herët, ndër të cilët veçohen “Pikë”, “Ato gdhendin dhimbjen” dhe “Gjarpri i fqinjit”. Ajo është autore e rreth 15 veprave letrare, disa prej të cilave janë përkthyer në anglisht dhe frëngjisht. /Telegrafi/


































