Kjo bimë thith 94% të grimcave fekale nga ajri dhe 78% të sporeve të mykut: Mbajeni në shtëpi!

Një studim i ri tregon se Urthi (Hedera helix), një bimë e zakonshme dekorative për ambiente të brendshme, mund të luajë rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së ajrit të brendshëm
Sipas rezultateve të publikuara nga revista Science Acumen dhe prezantuara në Kolegjin Amerikan për Alergji, Astmë dhe Imunologji, urthi, në një ambient të kontrolluar, ka treguar se eliminon deri në 94% të grimcave fekale dhe 78% të sporeve të mykut nga ajri, brenda vetëm 12 orëve.
Ndotja e ajrit të brendshëm po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për shëndetin, sidomos në ambiente me ventilim të dobët, si banjo, zyrat apo shtëpitë me kafshë shtëpiake.
Grimcat fekale dhe sporet e mykut të pranishme në ajër lidhën me një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë vështirësi në frymëmarrje, alergji dhe dobësim të sistemit imunitar, transmeton Telegrafi.
Sipas studiuesve që kryen hulumtimin, efektiviteti i urthit vjen nga:
▪ masivi i dendur i gjetheve, dhe
▪ shkalla e lartë e transpirimit, që ndihmon bimën të thithë ajrin dhe të bllokojë grimcat në sipërfaqen e gjetheve të saj.
Gjithashtu, kjo bimë ka veti antimikrobike, të cilat ndihmojnë në neutralizimin e mikroorganizmave të dëmshëm.
Pse urthi është bimë ideale për ambiente të brendshme?
Përveç përfitimeve të saj për ajrin, urthi është jashtëzakonisht i qëndrueshëm dhe i përshtatshëm për mjediset e brendshme. Kërkon pak përkujdesje, mund të rritet në vende me pak dritë dhe i reziston mirë kushteve të lagështa, prandaj përdoret gjithnjë e më shpesh në shtëpi, zyra dhe banjo.
Por ka edhe një paralajmërim…
Ekspertët theksojnë se Hedera helix është toksik nëse gëlltitet dhe mund të shkaktojë irritim të lëkurës nëse preket drejtpërdrejt. Prandaj rekomandohet kujdes i veçantë në shtëpitë me fëmijë të vegjël ose kafshë shtëpiake.
Edhe pse bëhet fjalë për një studim preliminar në kushte laboratorike, rezultatet sugjerojnë se urthi ka potencial real si pastrues natyral i ajrit. Nevojiten më shumë hulumtime për të konfirmuar efektet e tij në kushte të përditshme, por për momentin, mbetet një zgjidhje e thjeshtë, e përballueshme dhe efektive për ajrin që marrim frymë në shtëpi. /Telegrafi/


















































