LAJMI I FUNDIT:
Ferizaj 10° heavyrain

Kërkohet komision i veçantë monitorues për familjet që përfituan banesa sociale në Lipjan

Kërkohet komision i veçantë monitorues për familjet që përfituan banesa sociale në Lipjan

Komuna e Lipjanit disa vjet më parë ka dhënë në shfrytëzim gjithsejtë 31 banesa sociale për familje skamnore, por asamblistët në Kuvendin Komunal të Lipjanit kanë ngritur zërin që të themelohet një komision i veçantë për verifikimin e të gjitha familjeve. Kjo për shkak se shumë prej familjarëve janë në marrëdhënie të punës e disa prej tyre kanë edhe shtëpi të banimit në lokalitetet e tyre prej nga vijnë.

Kuvendi Komunal i Lipjanit tashmë me një vendim me vota unanime ka liruar nga pagesa e qerasë për vitin 2025 të gjitha familjet që kanë përfituar banesa nga komuna. Ky vendim është marrë për shkak të rritjes së çmimeve dhe standardit të jetesës.

Sipas asamblistëve, familjet që tashmë e kanë përmirësuar standardin e jetesës duhet t’i lirojnë banesat e tyre dhe t’i jepet mundësia dikujt tjetër që jetojnë në kushte të rënda të banimit.


Arsim Jashari, shef i grupit të Kuvendarëve nga radhët e PDK-së, ka thënë se kanë marrë informacione se shumë familje kanë të punësuar nga 2 apo 3 anëtar dhe gjendja e tyre ekonomike është përmirësuar, prandaj ka kërkuar që të themelohet një komision deri në instancat më të larta të shtetit për identifikimin e të gjithë atyre.

“Si grup e kemi mbështetur propozimin për t’i liruar nga qiraja e pagesave, por ne e kemi një kërkesë që të formohet një komision që këto familje të përcjellën për arsyeje se kemi pranuar ankesa sepse ka familje që kanë përfituar banesë por që kanë edhe shtëpi në fshat në emër të dikujt tjetër. Kjo vërtetohet shumë lehtë dhe duhet të merren masa urgjente. Pastaj, ka familjar të këtyre familjeve që janë duke punuar me 2-3 paga dhe nuk është më rast social. Kështu që është mirë që ne me i mbështetë, por duhet t’i përcjellim sepse ata të cilët i kanë rregulluar kushtet duhet t’i lëshojnë rrugë atyre që kanë nevojë për t’i ndihmuar. Është mirë që komisioni të jetë i drejtë parimor, nuk do ta anashkalojmë askënd”, ka thënë Jashari.

Po ashtu edhe kuvendari tjetër Lulëzim Rrustemi, ka thënë se ndoshta fëmijët e këtyre familjeve kanë studiuar dhe janë punësuar, andaj duhet të lirohen banesat për të tjerët që kanë nevojë.

“Bazuar në gjendjen ekonomike dhe zhvillimin që e kemi dhe vështirësitë që i kanë qytetarët ne duhet të vazhdojmë t’i ndihmojmë, por gjithmonë duhet të kemi parasysh që nëse e mbështesim dike duhet t’i bëjmë kontrolle  të vazhdueshme, pra duhet të kemi komisione.  Nëse i janë dhënë banesa 31 familjeve, ndërkohë duhet t’i shikojmë se cili është progresi i atyre familjeve, a ka ecje përpara, ndoshta dikujt iu kanë rritur fëmijët dhe kanë studiuar e janë punësuar. Ndërkaq atyre u janë krijuar kushtet që ato banesa duhet të lirohen dhe t’ia japim dikujt që më të vërtetë kanë nevojë dhe jetojnë në kushte më të rënda. Pra duhet ta kemi urgjent një komision që të bëjmë kontrolle dhe vlerësime të drejta lidhur me këto familje që kanë përfituar banesa nga komuna e Lipjanit”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi ka shtuar se nuk duhet t’i mësojnë këto familje që ato banesa mund të jenë të tyre përgjithmonë sepse ai sqaron se ligji e specifikon qartë se ato janë banesa komunale dhe me përmirësimin e kushteve ekonomike dhe me punësimin e tyre ato duhet të lirohen për t’i jepen familjeve të tjera nevojtare.

Në anën tjetër Shkëlzen Hajdini, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Lipjanit në mbledhjen e fundit të Kuvendit u është përgjigjur kuvendarëve lidhur me lirimin e pagesave të qirave për vitin 2025 dhe është pajtuar që të themelohet një komision lidhur me këto familje.

“Konsideroj se zyra pronësoro juridike do ta marrë në konsideratë kërkesën e kuvendarëve për themelimin e një komisioni.  Vendimi për lirim nga pagesa ka të bëj për të gjithë ata përfitues që janë vendosur në 31 banesa të dhëna nga komuna e Lipjanit dhe bëhet fjalë prej 1 janar deri më 31 dhjetor 2025. Arsyeja e këtij propozimi është gjendja e rënduar ekonomike , çmimet e rritura”, ka thënë Hajdini. /Telegrafi/