“Kemi ardhur për të mbrojtur familjen”, protestë kundër ligjit të barazisë gjinore

Qytetarë, prindër dhe aktivistë u mblodhën këtë të diel në sheshin “Skënderbej” për të protestuar kundër ligjit të barazisë gjinore, duke kërkuar që Presidenti Bajram Begaj të mos e dekretojë.
Koalicioni “Pro Familjes dhe Jetës” organizoi tubimin, ku dhjetëra qytetarë shprehën shqetësimin se ligji cenon vlerat dhe strukturën tradicionale të familjes shqiptare.
“Si ka mundësi që të gjithë ata që vijnë nga një familje janë kundër familjes? Kam një ankth për ta, sesi do të jetë jeta e tyre më vonë me këtë ligj. Nuk ia dëshiroj asnjë fëmije të jetë para këtyre pislliqeve që bëhen”, thotë nëna e dy djemve.
“Diskriminimi për familjen dhe e drejta e besimit po cenohet. Nuk mund të shprehemi lirshëm për atë që mendojmë. Nuk jemi kundër askujt, por këto që parashikohen janë dekurajuese”, thotë një 61-vjeçar.
“Ky ligj është disi i paekuilibruar. Duhet të bëhet kujdes me ekuilibrat e jetës”, thotë një 63-vjeçar.
“Ai ligj konfuz nuk ishte ide që duhej votuar. Kam ardhur për të protestuar dhe i kërkoj zotit Begaj të mos e dekretojë. Kemi ardhur për të mbrojtur familjen”, tha një 64vjeçar.
Në shesh u panë edhe fëmijë me veshje kombëtare, të cilët sipas prindërve simbolizonin mbrojtjen e identitetit shqiptar.
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime të forta, si “Vrasësit e traditës = Tradhtarë të kombit”, duke shprehur frikën se ligji mund të ndikojë tek brezat e rinj.
Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa organizatorët paralajmëruan se do të vazhdojnë nismat qytetare për të kundërshtuar ligjin në ditët në vijim.
- YouTube youtu.be
















































