LAJMI I FUNDIT:

Karaçeva, fshati i cili e njeh më së miri migrimin

Karaçeva, fshati i cili e njeh më së miri migrimin

Pas valës së migrimit katër vjet më parë, në Kosovë vazhdon ikja e qytetarëve në vendet e evropiane, ani pse jo në  shkallë të lartë si atëherë. Qytetarët thonë se po përballën me mungesë të perspektivës, në veçanti vendeve të punës, dhe po kërkojnë një jetë më të mirë jashtë shtetit të Kosovës, kryesisht me viza pune të përkohshme.

Kur flasim për fshatin Karaçevë të Kamenicës, përveç problemeve në brezin kufitar, menjëherë mendohet për një vend ku migrimi nuk ndalet pothuajse asnjëherë.

Një numër i madh i njerëzve gjenden në mërgatë tash e shumë kohë, ndërkohë që pjesa e mbetur vazhdimisht ka lëvizur nga këtu, duke migruar.


Banorët thonë se jetojnë në kushte të rënda socio-ekonomike, pasi janë anashkaluar në tërësi nga institucionet e Kosovës.

Mungesa e vendeve të punës dhe qasja e vështirë në shërbime publike, shëndetësi e të tjera, e bënë më të vështirë jetesën në këtë brez kufitar.

KosovaPress ka intervistuar një banor të Karaçevës, djemtë e të cilit po e mendojnë ikjen nga ky vend, meqë thonë se e kanë të vështirë të mbijetojnë këtu.

Sabri Fera thotë se nuk do të dalin më as për të votuar në kohë zgjedhjesh.

“I shkollova djemtë, mendova që diçka po bëhet, por këtu nuk ka perspektivë, tash ata pritet me ikë. Nga dy fëmijë i kanë, nuk ka asgjë këtu, duhet patjetër për të shkuar atje…. Ne tash jemi në gjendje të mjerueshme patjetër po duhet shkuar, këtu mirë nuk po bëhet. Ne në vota më nuk dalim”, tha ai.

Njësoj mendon edhe Ismajl Kastrati, që sipas tij, nuk do të mbetet asgjë nga të rinjtë këtu, meqë të gjithë do të shpërngulen.

“Të rinjtë janë duke u shpërngulë, nuk do të na mbetet asnjë prej të rinjve, sepse nuk ka perspektivë me këto qeveri deri sot që 20 vjet. 10 vjet na ka okupuar serbi. Ai serb ka qenë qe 100 e kusur vjet kundër popullatës shqiptare. Mbas çlirimit, duke ditë për nderë ata që kanë dhënë gjak që i kanë kapur pushkët, edhe sot po shkelim mbi gjakun e tyre qeveritë tona, udhëheqësit tonë, e NATO që bombardoi e na hoqi serbi. U hoq armiku i jashtëm tash erdh armiku i brendshëm. Një i ri mos me mbet në Kosovë”, thotë ai.

Edhe banorët e fshatrave përreth janë shprehur të mllefosur me gjendjen në të cilët ndodhet kjo zonë, ku sipas tyre nuk ka mbetur më perspektivë dhe shpresë për zhvillim.

Selver Lenjani, kryetar i fshatit të Karaçevës, thotë se migrimi i gjeneratave të reja është brengë e madhe për të gjithë.

“Për komunën tonë të Kamenicës askush nuk është kujdesur, për këtë brez kufitar, për Karaçevën askush nuk është kujdesur, dhe gjenerata e re vazhdimisht bëjnë kërkesa për ta lëshuar vendin, për të shkuar nëpër ambasada, siç është ajo e Kroacisë, Sllovenisë dhe të gjitha të huaja që marrin gjeneratën e re, marrin çunat e ri që neve na duhet për Kosovë, ne i bëjmë gat për shtetet e Evropës. Është dukuri negative sepse nuk është interesuar asnjë qeveri, as kjo aktuale, për komunën e Kamenicës që një varfëri të skajshëm e ka dhe për ta siguruar kafshatën e gojës marrin rrugën, dhe e lëshojnë vendin, merr drejtim shteteve të perëndimit”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati thotë se është e dhimbshme që qytetarët po largohen për mungesë të zhvillimit ekonomik. Ai pranon se komuna nuk ka shumë kompetenca në aspektin e zhvillimit ekonomik.

“Sot, të rinjtë janë në numër alarmant të përqindjes të papunësisë dhe për mua çka është më shqetësuese se e kanë përshtypjen dhe perceptimin e kjo është faji i të gjithë neve, politikanëve, veçanërisht ata që e kanë udhëheq nivelin qendror, që nuk janë duke besuar që ka drejtësinë këtë vend dhe ka barazi në këtë vend. Nëse punëson familjarë të një deputeti ose një kryetari, normalisht që një i ri zhgënjehet dhe nuk beson në këtë vend. Si komunë, nuk kemi shumë kompetenca në aspektin e zhvillimit ekonomik. Për mua është shumë e dhimbshme nëse një qytetar largohet prej Kamenicës, sepse arsimi nuk është cilësor, arsye të shërbimit shëndetësor”, tha Kastrati.

Sipas tij, një tjetër faktor që po ndikon në ikjen e qytetarëve është edhe forma si është duke funksionuar Bashkimi Evropian.

Behxhet Shala nga Këshillt për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se pamundësia për gjetjen e vendeve të punës, mungesa e perspektivës dhe humbja e shpresës, janë shkaktarët kryesorë të ikjes së të rinjve.

Sipas tij, mungesa e një planifikimi të qeverisë apo ministrive përkatëse, për profilet profesionale që i duhen Kosovës, mbipopullimi i profesioneve në vendin ku nuk mund të gjejnë punë, po ashtu po ndikojnë në largimin e qytetarëve nga Kosova.

“Të rinjtë që po largohen nga Kosova, është shumë më mirë të organizohen brenda Kosovës, të bëjnë protesta, t’i kërkojnë të drejtat e tyre sepse Kosova është vendi që ka mundësi, mirëpo aktualisht është një vend që e ka kapluar ndryshku moral. Këtu nuk ka një matës për vlera morale ,nuk ka një matës për vlera profesionale, por ka vetëm një matës kush nga pozita politika mund të punësojë më tepër njerëz, në mënyrë që të krijojë një raport klientelist që nesër kur dilet për vota, të sigurojë vota, kjo është e keqja”, tha ai.

Ndryshe, Kamenica është një prej komunave që në vazhdimësi popullata është shpërngulur. Ndërkohë institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë deklaruar se migrimi i kosovarëve ka shënuar ulje, krahasuar me vitet paraprake, e në veçanti vitin 2015 kur pati valë të madhe të ikjes së qytetarëve./kp/Telegrafi/

Foto: Ilustrim