Julian Ryerson po kalon një periudhë të vështirë te Borussia Dortmund. Nën drejtimin e trajnerit Niko Kovac, norvegjezi nuk është më titullar i padiskutueshëm dhe po detyrohet të luftojë vazhdimisht për minuta loje.

Pavarësisht aftësisë së tij për të luajtur si në krahun e majtë ashtu edhe në atë të djathtë të mbrojtjes, roli i tij në skuadrën e Dortmundit është zvogëluar ndjeshëm kohët e fundit.


Tani, për Ryerson mund të hapet një derë e re. Sipas informacioneve të Sky, FC Barcelona ka shfaqur interesim për 28-vjeçarin.

Kampionët e Spanjës janë në kërkim të një alternative më ekonomike për Jules Kounde dhe dëshirojnë të shtojnë thellësinë në repartin e mbrojtjes, profil ku Ryerson përshtatet në mënyrë ideale.

Gjithnjë sipas Sky, tashmë janë zhvilluar kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit. Ryerson ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2028, por klubi gjerman mund ta lejojë largimin e tij nëse vjen një ofertë e përshtatshme.

Mbrojtësi norvegjez është pjesë e Borussia Dortmundit që nga janari i vitit 2023, kur u transferua nga Union Berlin për shumën prej 5 milionë eurosh. Në total, ai ka zhvilluar 121 paraqitje zyrtare, duke shënuar shtatë gola dhe dhënë 11 asistime./Telegrafi/

telegrafi sport app