Kjo javë pritet të karakterizohet nga mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu në të gjithë vendin.

Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet më intensive do të regjistrohen të mërkurën dhe të enjten, ndërsa në ditët e tjera do të mbizotërojnë vranësirat të shoqëruara me reshje më të dobëta shiu.


Nga aspekti agrometeorologjik, këto kushte konsiderohen të favorshme për tokën dhe kulturat bujqësore.

Temperaturat nuk pritet të zbresin nën zero, duke eliminuar rrezikun nga ngricat që mund të dëmtojnë bimët e mbjella. Lagështia e shtuar nga reshjet do të ndihmojë në ruajtjen e tokës së lagur, duke përmirësuar kushtet për rritjen dhe zhvillimin e bimëve.

Ekspertët theksojnë se temperaturat e moderuara dhe mungesa e temperaturave ekstreme krijojnë kushte të përshtatshme për zhvillimin normal të kulturave pranverore. Kjo periudhë shihet si e favorshme edhe për vazhdimin e punimeve bujqësore në terren.

Bujqit këshillohen të shfrytëzojnë këto ditë për të vazhduar me përgatitjen e tokës, mbjelljet e reja dhe kujdesin ndaj kulturave ekzistuese, veçanërisht pemëve, duke përfituar nga kushtet e mira pa rrezik nga temperaturat e ulëta.

Ndërkohë, dita e hënë do të jetë kryesisht e vranët dhe vende-vende me riga shiu.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3 dhe 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 9 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 8 metra në sekondë. /Telegrafi/