Ndërhyrjet ushtarake duhet të ndodhin vetëm nëse janë në interesin tonë kombëtar. Ndryshimi i regjimit në Libi nuk ishte i tillë.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com


Unë, për vete, nuk do të vajtoj për vdekjen e Saif al-Islam Gaddafit, djalit të diktatorit të mëparshëm libian, i cili është vrarë nga persona të panjohur në strehën e tij në shkretëtirë.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada qëkur pata privilegjin e pakuptimtë të paditesha për shpifje nga Saifi, pasi në një artikull në Telegraph zbulova përfshirjen e tij në një skemë të ndërlikuar përmes së cilës Irani i ofronte komponentë kryesorë Libisë për programin e saj të armëve bërthamore - program të cilin regjimi i Gaddafit mohonte se ekzistonte.

Nën presionin e Gardës Revolucionare të Iranit për të zbuluar se si e kisha ekspozuar përfshirjen e tij, Saifi ngriti një padi për shpifje.

Në një ironi interesante, seanca gjyqësore u zhvillua në Gjykatën e Lartë të Londrës teksa Saifi ndodhej atje për bisedime me MI6-in për çmontimin e programit bërthamor të vendit të tij.

Si çdo diktator në ardhje, Saifi - të cilin koloneli Muammar Gaddafi e kishte shpallur pasardhës të tij - nuk kishte brejtje për të thënë haptazi gënjeshtra. Ai pretendonte se nuk kishte lidhje me zhvillimin e armëve bërthamore dhe se ishte vetëm një student i pafajshëm që studionte në Vjenë, ku mbante një tigër si kafshë shtëpiake në kopshtin lokal zoologjik.

Siç pritej, çështja u zgjidh jashtë gjykatës dhe Saifi u rikthye në Libi ku, gjatë kryengritjeve të Pranverës Arabe në vitin 2011, tregoi fytyrën e tij të vërtetë duke udhëhequr shtypjen brutale që përfundimisht çoi në ndërhyrjen ushtarake perëndimore dhe rrëzimin e regjimit të Gaddafit dhe pastaj vrasjen e Gaddafit të vjetër.

Në momentin e vdekjes së tij këtë javë, 53-vjeçari Saif ishte në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për t’u gjykuar për krime lufte, pasi më parë ishte dënuar me pushkatim në Libi për akuza të ngjashme. Kaq për pretendimin e Saifit në Gjykatën e Lartë se ishte thjesht student - kishte studiuar për pak kohë në Shkollën Ekonomike të Londrës [LSE] - pa lidhje zyrtare me regjimin tiranik të babait të tij. Për Saifin, ishte një rast klasik i thënies si i ati, ashtu edhe i biri.

Megjithatë, sado që e kam urryer klanin Gaddafi, gjithmonë kam pasur rezerva ndaj vendimit të David Cameronit - marrë bashkë me ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy - për të nisur një ndërhyrje të përbashkët ushtarake kundër regjimit libian në pranverën e vitit 2011.

Çështja e ndërhyrjeve ushtarake kundër regjimeve armiqësore ka dalë sërish në pah, me pretendimin e presidentit amerikan Donald Trump se ka grumbulluar një “armadë të madhe të bukur” pranë brigjeve iraniane. Kjo ka nxitur shqetësime se Shtëpia e Bardhë është gati të nisë një valë të re sulmesh kundër ajatollahëve, ndoshta me synimin për të përmbushur objektivin afatgjatë të ShBA-së për ndryshim regjimi në Teheran.

Kur peshojmë për dhe kundër ndërhyrjeve ushtarake që synojnë ndryshimin e regjimit, unë gjithmonë kam besuar se rregulli i artë është të vlerësohet nëse një veprim i tillë është në interesin tonë kombëtar.

Për shembull, në këtë aspekt rrëzimi i talibanëve në Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit, ishte plotësisht i justifikuar, pasi ata i kishin ofruar al-Kaedës një bazë të sigurt për të planifikuar sulmet ndaj ShBA-së dhe aleatëve të saj. Rasti i Libisë, për dallim, ishte shumë më pak i qartë.

Gaddafi, është e vërtetë, kishte një histori të gjatë të përfshirjes në terrorizmin anti-britanik - nga furnizimi i IRA-s me armë deri te shpërthimi në Lokerbi. Por, deri në pranverën e vitit 2011, pozicioni i tij kishte ndryshuar ndjeshëm, deri në pikën që ishte bërë një aleat i çmuar i Britanisë, duke bashkëpunuar në çështje thelbësore sigurie - si lufta kundër terrorizmit të frymëzuar nga al-Kaeda. Ndërkohë, ishte vendosur edhe një tregti e leverdishme nafte midis dy vendeve.

Vendimi i Cameronit për të ndërhyrë ushtarakisht, mbështetur në një pretendim të diskutueshëm se do të parandalohej një masakër e forcave opozitare në Bengazi, përfundoi me shkatërrimin total të regjimit, duke krijuar një vakum të rrezikshëm pushteti që vazhdon edhe sot.

Pa dyshim, sa i përket përmirësimit të sigurisë sonë kombëtare, rrëzimi i Gaddafit ka qenë një katastrofë - mbi të gjitha sepse ata që e kryen ndërhyrjen nuk kishin as idenë më të vogël se çfarë administrate do të pasonte, pas largimit të tij, në këtë vend strategjik të Afrikës së Veriut.

Si pasojë, një pjesë e madhe e dhjetëra mijëra emigrantëve të paligjshëm që përpiqen të arrijnë në Evropë çdo vit - përfshirë edhe ata që mbërrijnë në brigjet britanike - janë nga Libia. Shumë nga këto rrjete kontrabande kanë lidhje me inteligjencën ruse, e cila e sheh përmbytjen e Evropës me emigrantë të padëshiruar si mjet për destabilizimin e kundërshtarëve të saj evropianë.

Një mësim kyç për udhëheqësit që mendojnë për ndryshim regjimi në shtete armiqësore si Irani, është se rregulli i artë për çdo ndërhyrje ushtarake - qoftë në Afganistan apo Iran - është të kesh një ide të qartë për llojin e administratës që pritet ta zëvendësojë regjimin.

Përfshirja jonë fatkeqe në Libi është një shembull i qartë. Pak vetë do të vajtojnë për gadafët. Por, ka shumë arsye për të vajtuar rrëmujën e tmerrshme që kemi ndihmuar të krijohet në Libi, përmes ndryshimit të regjimit në Tripoli - dhe ndikimin katastrofik që ka sot mbi mirëqenien tonë kombëtare. /Telegrafi/