Iu gjetën 250 mijë euro në banesë - arrestohet gjyqtari serb që drejtonte ndeshjet kryesore në Euro League

Gjyqtari i njohur i Euro League dhe ABA league, serbi Uros Nikolic, është arrestuar nga policia serbe pasi gjatë një kontrolli në apartamentin e tij janë gjetur 250 mijë euro në para të gatshme.
Lajmi u konfirmua të enjten në mëngjes nga televizioni shtetëror RTS, ndërsa pak orë më vonë Euroliga e Basketbollit publikoi një deklaratë zyrtare, duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm të gjyqtarit nga të gjitha garat, deri në përfundimin e hetimeve.
Në njoftimin e Euro League thuhet: “Pas raporteve të fundit në media lidhur me arrestimin e gjyqtarit Uros Nikolic nga autoritetet serbe, Euro League e Basketbollit njofton se gjyqtari është pezulluar nga të gjitha garat derisa të përfundojnë hetimet e autoriteteve dhe shqyrtimi i brendshëm i organizatës”.

Sipas gazetës “Blic”, arrestimi i Nikolic lidhet me një operacion ndërkombëtar policor për dyshime mbi lidhje me një grup të organizuar kriminal. Ai pritet të dalë para Zyrës së Prokurorit për Krimin e Organizuar të Republikës së Serbisë gjatë ditës së sotme.
Në total, 10 persona janë arrestuar në Serbi në kuadër të këtij operacioni, ndërsa të dyshuarit akuzohen për vrasje, korrupsion dhe prishje të rendit publik.
Nikolic, 39 vjeç, është një nga gjyqtarët më me përvojë të Euro League, pjesë e kësaj gare që nga viti 2019. Ai ka gjykuar në Final Four të Euroligës në sezonet 2020-21 dhe 2023-24, përfshirë ndeshjet për vendin e tretë mes AX Armani Exchange Milan – CSKA Moskë dhe Olympiacos – Fenerbahçe.
Së fundi, më 2 tetor 2025, ai gjykoi ndeshjen mes Real Madridit dhe Olympiacosit në Movistar Arena, bashkë me Damir Javor dhe Dragan Porobić.

Ky arrestim ka shkaktuar tronditje në komunitetin e basketbollit evropian dhe ka ngritur dyshime serioze mbi integritetin e gjyqtarëve në garat më të rëndësishme të kontinentit. /Telegrafi/
































