Ish-futbollisti francez, Raphael Varane, ka zbuluar në një intervistë me mediumin Le Monde se ka vuajtur nga periudha depresioni gjatë gjithë karrierës së tij, veçanërisht gjatë muajve të parë te Real Madridi dhe në periudhën pas Kupës së Botës 2018.

I pensionuar që nga shtatori i vitit 2024, fituesi i Kupës së Botës ka vendosur ta bëjë shëndetin mendor kauzën e tij kryesore për vitin 2025, duke e promovuar atë përmes fondit të fondeve Generation 2018, të krijuar nga 23 lojtarët që fituan titullin në Rusi.


Varane ka denoncuar faktin se, pavarësisht fokusit në rritje të medias në mirëqenien e atletëve, shëndeti mendor mbetet një temë tabu në futbollin profesional.

Siç e shpjegoi ai për gazetën franceze, kultura e performancës së lartë i detyron lojtarët të "shkojnë përtej të gjitha kufijve taktikë, fizikë dhe teknikë", ndërsa sfidat psikologjike lihen në heshtje.

“Që në moshë shumë të re mësojmë se duhet të shfaqim forcën dhe të fshehim dobësitë”, thotë ish-qendërmbrojtësi, i cili bën thirrje për një ndryshim në këtë mentalitet: “Të tregosh dobësinë tënde nuk do të thotë që je i dobët. Do të thotë që po kërkon zgjidhje për të ecur përpara”.

Episodi i parë ndodhi kur ai ishte 18 vjeç , menjëherë pasi nënshkroi kontratë me Real Madridin. Varane kujtoi se ndihej i vetmuar, mezi merrte kohë loje dhe me ndjesinë se ëndrra e tij po shkërmoqej.

“Në fushë isha i përqendruar, por kur u largova nuk doja të shkoja në shtëpi. Ishte një depresion. Nuk po shijoja më asgjë", shtoi Varane për Le Monde. Në atë kohë, ai pranoi se vuajtja në heshtje ishte pjesë e rrugës drejt suksesit .

Pasi u kurorëzua kampion bote në vitin 2018, ai përjetoi një tjetër pengesë.

"Je në majë dhe pastaj vjen rënia ", shpjegoi ai. Paradoksalisht, thyerja e shkaktuar nga pandemia i lejoi të ngadalësonte, të përpunonte emocionet e tij dhe të rifitonte ekuilibrin. Më vonë, ai mësoi se shoku i tij i skuadrës Samuel Umtiti po kalonte gjithashtu një periudhë depresioni: një simptomë, thotë ai, e izolimit emocional të sportit.

Varane ka kritikuar gjithashtu konkurrencën e tepërt, e cila sipas tij ndikon si në performancë ashtu edhe në mirëqenien mendore. Ai thekson se një nga arsyet e tërheqjes së tij nga kombëtarja në vitin 2023, në moshën vetëm 29 vjeç, ishte "orari i çmendur" që nuk e lejoi të pushonte.

"Nëntë ditë pas finales së Kupës së Botës në Katar, unë tashmë po luaja për Manchester United", kujtoi ai.

Për të, futbolli modern është “me shpejtësi të plotë”, gjë që shkakton më shumë lëndime dhe ul cilësinë e lojës: “Ose nuk luan me 100%, ose luan si robot”. /Telegrafi/

telegrafi sport app