Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka mbajtur një konferencë për shtyp në Tel Aviv, ku u shpreh me tone të forta kundër kritikave të bëra nga lideri i opozitës, Yair Golan.

Ai e kundërshtoi ashpër Golanin, i cili kishte deklaruar se Izraeli po vret foshnja "si një hobi" në Gaza, duke e cilësuar këtë si një akuzë të pabazuar dhe të padrejtë ndaj ushtrisë dhe qeverisë izraelite.


Netanyahu theksoi se ndërkohë që "heronjtë tanë, ushtarët tanë, rrezikojnë jetën çdo ditë për të mbrojtur Izraelin dhe sigurinë e qytetarëve tanë", Golan po i sulmon ata me akuza për krime lufte, duke minuar moralin dhe unitetin kombëtar në një kohë kaq kritike për vendin.

Në një intervistë më parë në radion Reshet Bet, Yair Golan, ish-oficer i lartë i ushtrisë izraelite dhe aktualisht një nga figurat kryesore të opozitës, kishte deklaruar se "një vend i shëndoshë mendërisht nuk përfshihet në luftë kundër civilëve, nuk vret foshnja si një hobi dhe nuk vendos si qëllim të vetin dëbimin e një popullate".

Këto fjalë të tij u interpretuan si një kritikë e ashpër ndaj operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza, ku ka pasur raporte për viktima civile.

Komentet e Golan ishin një zë i rrallë kritik nga brenda Izraelit, i cili shpesh mbështet me unanimitet veprimet e qeverisë dhe ushtrisë gjatë konfliktit. Kjo situatë nxiti debate të gjera në publik dhe në media, duke nxjerrë në pah ndarjet brenda shoqërisë izraelite lidhur me mënyrën e menaxhimit të luftës dhe ndikimin e saj në civilët e pafajshëm.

Netanyahu përfundoi konferencën duke bërë thirrje për unitet dhe mbështetje të plotë për forcat e sigurisë, duke theksuar se çdo kritikë e jashtme apo e brendshme që dobëson qëndrueshmërinë e Izraelit në këto momente është e dëmshme për vendin dhe sigurinë kombëtare. /Telegrafi/