Ish-nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Donjeta Sahatçiu, ka bërë të qartë se nuk mbështet një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në kryeqytet.

Në një postim në Facebook, Sahatçiu ka shkruar: “Nuk jam e përfshirë dhe nuk e mbështes një koalicion të mundshëm LDK-PDK në Prishtinë. Kam kërkuar votë për atë që kam besuar, publikisht dhe pa kalkulime. Edhe pse do të gënjeja nëse them se nuk i kuptoj arsyetimet politike për një kompromis, nuk i kam pranuar kurrë si mënyrë për të ndërtuar besim me qytetarët, e aq më pak sot, pas një përvoje që dëshmoi të kundërtën. Pikëpamjet e mia janë krejtësisht të kundërta dhe kam 1001 arsye për to”.


Ajo ka shtuar se për hir të respektit ndaj bashkëpunëtorëve do të përmbahet nga komentet e mëtejme, por ndjen përgjegjësi t’i bëjë të qarta qëndrimet e saj përpara se të demantojë dikë tjetër, duke theksuar se ky është qëndrimi i saj edhe sikur të ishte aktualisht në Prishtinë.

Ky reagim vjen disa muaj pas shkarkimit të saj nga pozita e nënkryetares nga kryetari Përparim Rama në shkurt të vitit 2024, pak orë pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për anulimin e vendimit për këmbim të pronave.

Në postimin e saj, Sahatçiu nënvizon se politika, sipas saj, fillon dhe mbaron me dinjitetin dhe besnikërinë ndaj asaj që thuhet dhe punohet. /Telegrafi/