Ish-futbollisti kolumbian, Jhon Viafara arrestohet për trafikim të drogës

Jhon Viafara dyshohet se ka qenë i përfshirë në një rrjet kriminal të drogës. Ish-reprezentuesi i Kolumbisë është arrestuar ditën e djeshme si i dyshuar për trafik droge.
40-vjeçarit, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Southamptonit dhe Portsmouthit në Angli si dhe Real Sociedadit në Spanjë, iu vunë prangat në qytetin kolumbian të Kalit, pas një operacioni të DEA-s amerikane me policinë lokale.
Viafara dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që ka transportuar katër tonelata kokainë në SHBA - transmeton KP.
Mediat lokale në Kolumbi raportojnë se ai dyshohet të jetë anëtar i një karteli të drogës që transporton substanca narkotike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke shfrytëzuar anije të ndryshme.
Theksojmë se Viafara ka luajtur edhe 34 ndeshje me kombëtaren e Kolumbisë, në mes të viteve 2003-2010, ndërsa u tërhoq nga futbolli në vitin 2015.




























































