Ish-anëtarja e grupit legjendar Spice Girls, Geri Halliwell, është fotografuar së fundmi duke pushuar në një jaht luksoz gjatë qëndrimit të saj në Kroaci.

Në jahtin “Majic”, pranë bregdetit të Peleshacit, ajo u shfaq e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, Christian Horner, dhe fëmijët e tyre. Pas këtij destinacioni, familja u drejtua për në Dubrovnik, ku jahti është ankoruar në portin e Gruzit.


Megjithëse pamjet tregojnë se Geri dhe Christian vazhdojnë të jenë bashkë, mediat britanike kanë shkruar gjerësisht javët e fundit për një krizë serioze në martesën e tyre. Sipas revistës Heat, këngëtarja është e shqetësuar për të ardhmen e lidhjes.

“Geri ka kaluar një periudhë shumë të vështirë gjatë 18 muajve të fundit. Ajo e do Christianin dhe dëshiron që martesa e tyre të zgjasë. Për këtë arsye është mbështetur te mikeshat e ngushta, të cilat i kanë dhënë forcë dhe ngushëllim”, tha një burim për revistën.

Problemet në çift vijnë pas lëvizjeve të fundit në karrierën e Christian Horner. Ish-piloti i garave dhe ish-drejtuesi i skuadrës Red Bull në Formula 1 është shkarkuar nga posti i tij si menaxher dhe drejtor ekzekutiv.

Arsyeja zyrtare e shkarkimit nuk është bërë publike, por kjo ndodhi 17 muaj pas një skandali të madh që e përfshiu atë, kur një punonjëse e Red Bull e akuzoi për sjellje “të papërshtatshme dhe kontrolluese”. Horner i mohoi akuzat, edhe pse në media qarkulluan pamje të mesazheve të supozuara.

Geri Halliwell dhe Christian Horner janë të martuar që nga viti 2015. /Telegrafi/