Inxhinieri shqiptar Fitim Kryeziu - njëri nga ideatorët e projektit të “Ishullit të Energjisë”, në vlerë 28 miliardë euro
Njëri nga ideatorët e projektit më të madh të fushës së energjisë i cili kap vlerën 28 miliardë euro, është edhe inxhinieri shqiptar nga Kosova, Fitim Kryeziu, i cili jeton dhe vepron në Danimarkë. Projekti i quajtur “Ishulli i Energjisë”, i cili do të ndërtohet në Detin e Veriut, planifikon që ky Ishull të prodhoj energji elektrike të pastër të ripërtëritshme për 10 milionë amvisëri, katër herë më shumë se që ka nevojë shteti i Danimarkës, në territorin e së cilës edhe po ndërtohet ky projekt. Një pjesë e kësaj energjie do të eksportohet edhe në disa vende të Evropës.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, inxhinieri Fitim Kryeziu, tregon për inspirimi i tij, për të ideuar këtë projekti gjigant, i cili është quajtur nga mediat botërore edhe ekspertët e fushës si projekti kolosal i shekullit, e po ashtu siç është vlerësuar edhe si zbulim shkencor i shekullit.
Ai tregon se ideja e projektit në fjalë, ka lindur nga marrëveshjen e Parisit të vitit 2015-të, e që shtetet botërore u pajtuan për një marrëveshje, bazuar në dy elementet kryesore, ku njëra është zbutja e ndikimit të ndryshimit të klimës duke kufizuar ngrohjen globale në nën 2°C, të ndjekur apo të vije nën 1.5°C, kurse elementi tjetër është dekarbonizimi i plotë i sektorit të energjisë.
“Pas kësaj marrëveshje filluam të gjitha shtetet në Evropë, të analizojmë se çka do të thotë kjo, marrëveshje, dhe çka duhet për ta bërë të mundur realizimin e saj. Konkluzioni, ka qenë i qartë, se duhet të instalohen 200-240 GW energji, në Detin e Veriut, prej Mullinjve të Erës, dhe ky rezultat na tregoj, se ne duhet të lëvizim edhe me larg, pra në Detin e Veriut, për të fituar këtë energji. Ky ka qenë arsyeja se si filloj ideja jonë për Ishullin e Energjisë”, tha ai.
Duke folur për realizimin dhe kur do të fillojë të implementohet projektit në fjalë, Kryeziu theksoi se marrëveshja është për 10 GW ose furnizim për 10 milionë amvisëri, etapa e parë do të përfundon në 2033, ku do të instalohen 3 GW, apo furnizim për 3 milionë amvisëri, kurse etapa e pare, përveç se ka filluar me disa studime, për ta zgjedhur se çfarë teknologjie të përdorët dhe kush të jetë pjesë e këtij projekti përveç Danimarkës, përderisa etapat tjera, për momentin nuk janë vendosur ende.
Inxhinieri Fitim Kryeziu nga Mleqani i Malishevës, i cili në Danimarkë ka shkuar në moshën 11 vjeçare, ka përfunduar studimet në universitetin Aalborg University -AAU, drejtimi Energy Engineering, universitet ky i cili renditet i 6-ti në botë dhe i pari në Evropë.
Ka kryer Master në drejtimin në Electrical Power Sistem and Hight Voltage Engineering-në Sistemin Elektrik të Energjisë dhe Inxhinierinë e Tensionit të Lartë. Ai është pjesë e kompanisë ‘Energinet’, njëherit Projekt Menaxher dhe ligjërues po ashtu në dy Universitete të Danimarkës, në Aalborg Univerisuty dhe në DTU. Për të gjitha të arriturat e tij, ai falënderon familjen, miqtë, kolegët dhe shtetin e Danimarkës për mundësinë e dhënë, në realizimin e ëndrrave të tij.
Megjithatë, ai ka një porosi për të rinj shqiptar. “Gjithçka është e mundur në jetë, por duhet të keni parasysh se duhet shumë punë, për të arritur në një pozitë, që më pas, kurrë nuk do të pendoheni për kohën dhe mundin që keni bërë”.
Telegrafi: Z. Kryeziu, Parlamenti i Danimarkës, ka miratuar ndërtimin e një “Ishulli të Energjisë” në Detin e Veriut. Ky projekt gjigant do të kushtojë 28 miliardë euro. Çka do të thotë kjo për ju, pasi që jeni pjesë e këtij projekti gjigantë? Fitim Kryeziu: Një ëndërr e madh e imja është plotësuar. Prej vitit 2017-të, kam punuar shumë, me ditë dhe net të tëra, vetëm që kjo ide të realizohet, pasi që kam besim të madh, se ky projekt do ta ndryshoj fundamentalist mënyrën, se si prodhohet e transmetohet energjia, në mes shteteve të përfshira në këtë projekt. Qëllimi im i këtij projekti, është ta ndalon ndotjen e ambientit, pas gjithë këtij projekti të madh, dhe gjithë fuqisë që do të prodhohet rryma, ndotja e ambientit është shumë e ultë. Puna ime dhe qëllimi im kryesor, është që çdo projekt që bëjë, të rezulton me uljen e ndotjes së ambientit, që çdo gjeneratë e re të ketë një ambient të shëndetshëm.
Telegrafi: Ju jeni njëri nga ideatorët e këtij projekti, si inxhinier i vetëm shqiptar nga Kosova, në një projekt mund ta quajmë kolosal të shekullit, apo siç është vlerësuar edhe si zbulim shkencor i shekullit. Jeni i kënaqur me këtë arritje, si e vlerësoni këtë dhe çka do të thotë kjo për gjithë shqiptarët kudo në botë? Fitim Kryeziu: Jam shumë i kënaqur, që kam qenë unë një ndër ideatorët e parë të këtij projekti historik për shtetin e Danimarkës. Shpresoj se ky projekt, do t’i tregoj së pari rinisë shqiptare, se çdo gjë është e mundur dhe arrihet, vetëm me përkushtimin e duhur dhe me shumë punë. Shpresoj se ky projekt do t’i tregoj botës, se shqiptarët kanë njohuri të ndihmojnë botën me idetë e tyre.
Pas kësaj marrëveshje filluam të gjitha shtetet në Evropë, të analizojmë se çka do të thotë kjo, marrëveshje, dhe çka duhet për ta bërë të mundur realizimin e saj. Konkluzioni, ka qenë i qartë, se duhet të instalohen 200-240 GW energji, prej Mullinjve të Erës, dhe ky rezultat na tregoj, se ne duhet të lëvizim edhe me larg, pra në Detin e Veriut, për të fituar këtë energji. Ky ka qenë arsyeja se si filloj ideja jonë për Ishullin e Energjisë.
Telegrafi: Në sa etapa do të bëhet realizimi i këtij projekti madhor dhe ky projekt i quajtur “Ishulli i Energjisë”, sa do të prodhojë energji, pra sa GW, sa amvisëri dhe ndërmarrje do të përfitojnë nga ky projekt, dhe kur do të fillojë së implementuar projektit në fjalë? Fitim Kryeziu: Marrëveshja është për 10 GW ose furnizim për 10 milionë amvisëri, etapa e parë do të përfundojë më 2033, ku do të instalohen 3 GW, apo furnizim për 3 milionë amvisëri. Etapa e parë, përveç se ka filluar me disa studime, për ta zgjedhur se çfarë teknologjie të përdorët dhe kush të jetë pjesë e këtij projekti përveç Danimarkës. Etapat tjera, për momentin nuk janë vendosur ende.
Jam një njeri, që e di, se në këtë jetë, sa të jetojmë duhet të mësojmë dhe të punojmë shumë. Dua ta veçoj se një gjë është shumë e rëndësishme. Dituria është ajo që kurrë nuk e humb VLERËN!
Telegrafi: Z. Kryeziu, sa ka qenë e vështirë rruga e juaj deri tek arritja se suksesit, duke pas parasysh se ky rrugëtim ka pasur shumë sfida, probleme dhe vështirësi? Fitim Kryeziu: Kam kaluar shumë sfida dhe vështirësi për të arritur këtu ku jam sot. Kam ardhur në Danimarkë në moshën 11 vjeç, dhe në një vend të huaj, kam filluar të gjitha nga zeroja. Mund të them se ka qenë një periudhë shumë e vështirë, mirëpo fal përkushtimit dhe përkujdesjes familjare, duke i falënderuar prindërit, arrita t’i kaloj të gjitha, por me shumë mundë e përkrahjen tyre, sot jam këtu ku jam me titull Master i Inxhinierisë.
Është shumë e vështirë, si për mua, ashtu edhe për familjen time, pasi që jam njeri familjar, kam bashkëshorten dhe dy fëmijë, e ku këtë të fundit duhet shpesh ta sakrifikoj. Më duhet të udhëtojë shumë jashtë vendit nëpër shtete të ndryshme të botës për të punuar, por kjo është jeta. Megjithatë, kur të kesh mirëkuptim nga familja dhe rrethi ku jeton, edhe puna për mua është shumë më e lehtë, pasi që mundi po vlerësohet pozitivisht çdo ditë e më shumë.
Telegrafi: Meqë njiheni si ekspert në arenën ndërkombëtare sa i përket sektorit të energjisë. A keni pasur ndonjë ftesë nga institucionet e Kosovës, për ndonjë bashkëpunim sa i përket këtij sektori? Fitim Kryeziu: Jo, ende nuk kam pas ndonjë ftesë nga institucionet e Kosovës, për ndonjë bashkëpunim. Shpresoj se kjo do të ndryshojë në të ardhmen, pasi që kam shumë dëshirë të madhe të kontribuoj në vendlindjen time. Kam tentuar të bashkëpunoj me KOST-in, e Kosovës, si dhe më Universitetin e Prishtinës, që të mbajë disa ligjërata studentëve në mënyrë vullnetare, pa asnjë përfitim, por nuk më është mundësuar, meqë unë ligjëroj në dy Universitete këtu në Danimarkë. Shpresojë, të vjen një ditë, që edhe Kosova të bëhet një shtet i mirë, t’ju mundësoj mërgimtarëve ta ndihmojnë vendin e tyre të origjinës. Ka shumë mërgimtar që janë të arsimuar dhe të aftësuar, e të cilët munden të ndihmojnë Kosovën në shumë aspekte.
2015-2021: “Projekt Manager: i projektit që quhet “Konti-Skan Upgrade” (kosto e projektit 40 milion euro)
2015-2017: Pjesëtarë i projektit “CobraCable”
2017- 20xx: Ideator i projektit “Ishulli i Energjisë”
2018-20xx: Kryeshef i Bordit në projektin “MultiDC”, ku nga ky projekt do të zhvillohen 5 PHD. Në këtë projekt marrin pjesë kompani të Transmictiont: Enerignet, dhe SVK e Suedisë, e po ashtu edhe tri Universitete si: DTU, KTH edhe Leige Universitet, dhe kompania; Hitachi ABB.
2020-2020: Project Manager i 2, Turn-Key Substation.
2019-2020: Advisory Bord Memeber i projektet “Danish Islands”
Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për të gjithë rinjtë shqiptar që synojnë rrugën e suksesit? Fitim Kryeziu: Gjithçka është e mundur në jetë, por duhet të keni parasysh se duhet shumë punë, për të arritur në një pozitë, që më pas, kurrë nuk do të pendoheni për kohën dhe mundin që keni bërë./Telegrafi/Lumturije BEKAJ/



































