Intelektualët peticion kundër regjistrimit të popullsisë

Peticioni i drejtohet Presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, në të cilin deklarojnë se "shprehja e përkatësisë etnike dhe fetare, që mbështetet dhe në kartën e Kopenhagës, është një çështje e individit".
"Kuptohet qartë se e drejta e pakicave për të shprehur përkatësitë e tyre nuk është detyrim për ta. Aq më pak mund të jetë një detyrim për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Konsiderojmë veçanërisht të rrezikshme në momentet e tanishme, kërkesën për vetëdeklarimin e kombësisë. Elementë të tillë regjistrimi nuk ekzistojnë në asnjë nga 27 vendet anëtare të komunitetit evropian ku aspirojmë të anëtarësohemi", thuhet në këtë peticion.
Grupi i intelektualëve shprehet se regjistrimi do të ketë pasoja negative. "Regjistrimi mbi baza etnike e fetare do të nxiste një garë negative ndërmjet këtyre kategorive. Kurse vetëdeklarimi i popullsisë, ne kushtet e sotme, është haptas kundër identitetit tonë. Ligjit për gjendjen civile i bërë në këtë frymë, duhet shfuqizuar sa më parë", vijon deklarata.
Ndër emrat nënshkrues janë dy ish-presidentët Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, Dritero Agolli, Pëllumb Xhufi, Spiro Qirko, Sabri Godo, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu, konstitucionalisti Luan Omari, artistët si Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, etj. /Telegrafi/













































