Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës.

Qëllimi i këtij aksioni, sipas njoftimit zyrtar, ishte mbikëqyrja e zbatimit të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të produkteve të naftës dhe vendosjen e masave mbrojtëse, me fokus tek mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme.


“Aksioni u zhvillua mbi bazën e vendimit të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe u përqendrua tek mbi 25 operatorë ekonomikë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë tregtarët e derivateve për transport”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka vepruar në koordinim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, duke garantuar që çdo veprim të jetë efektiv dhe i koordinuar.

“Inspektorati do të vazhdojë monitorimin e tregut për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, për të luftuar informalitetin dhe për të eliminuar praktikat e padrejta tregtare. Në çdo rast kur konstatohet shkelje e ligjit, inspektorët do të ndërmarrin masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.

Institucioni ka konfirmuar se veprimet e tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të rregullt dhe të sigurt për zhvillimin ekonomik në Kosovë. /Telegrafi/