Innovation Centre Kosovo shpërblehet në Paris me çmimin ndërkombëtar “Rising Star”

Innovation Centre Kosovo (ICK) është nderuar me çmimin “Rising Star” në ceremoninë prestigjioze të Startup Ecosystem Stars (SES) Awards 2025, të mbajtur në selinë e International Chamber of Commerce (ICC) në Paris.
Ky vlerësim, i ndarë nga ICC dhe Mind the Bridge në bashkëpunim me OECD, Komisionin Europian dhe me mbështetje të Microsoft, e rendit ICK-në në mesin e 54 organizatave më me ndikim global në fushën e inovacionit dhe mbështetjes për startup-e.
Kategoria “Rising Star” nderon institucionet që po tregojnë rritje të shpejtë dhe potencial të lartë drejt pozicionimit si ndërtuese të ekosistemeve të avancuara të inovacionit.
Organizatorët vlerësuan se fituesit e kësaj kategorie janë organizata që po krijojnë ndikim të dukshëm në zhvillimin e sipërmarrjes dhe talenteve, duke kontribuar në ekonominë konkurruese dhe mbështetjes së komuniteteve dhe bizneseve.
Me këtë çmim, ICK forcon pozicionin e tij si një prej aktorëve kyç në inovacion në rajon, duke e vendosur Kosovën në hartën globale të organizatave që po formësojnë të ardhmen e sipërmarrjes dhe teknologjisë.

















































