Çdo muzikant do të ndihej krenar po të kishte shkruar këngë gjysmë të bukura dhe prekëse si të tijat.

Nga: Neil McCormick, kritik i muzikës / The Telegraph (titulli: Chris Rea winced when I mentioned his hits. He shouldn’t have)
Përkthimi: Telegrafi.com


Chris Rea ishte me të vërtetë këngëtar, tekstshkrues dhe kitarist i madh britanik dhe, për më tepër, një njeri vërtet i mrekullueshëm. Nëse jeni rrugës për në shtëpi për Krishtlindje, ose i ngujuar në trafik duke shkuar për të vizituar familjen, ka shumë gjasa të pëshpëritni një këngë të Chris Reas. Por, kishte diçka më shumë te Rea - i cili ka vdekur në moshën 74-vjeçare - sesa hitet e tij. Një herë kalova një pasdite me të në studiot “Abbey Road”, në vitin 2016, duke xhiruar një emision televiziv, dhe u mahnita nga mirësjellja e tij, përulësia, humori, filozofia e tij e lodhur nga jeta, por prapë optimiste, dhe pasioni i tij i dukshëm për art dhe muzikë.

Ai ishte në siklet kur përmenda hitin e tij të parë të madh, këngën e lehtë disko-romantike, Fool (If You Think It’s Over), por çfarë kishte për t’u ndier në siklet? Është një këngë e mrekullueshme, një klasik absolut, me një melodi të lehtë dhe vargje prekëse për të cilën cilido do të ndihej krenar po ta kishte shkruar. Rea gjithmonë e kishte ndier atë si një mallkim, sepse bëri të kategorizohej gabimisht si baladist sentimental, mesatar, një lloj miksi i lirë verior mes Barry Manilowit dhe Barry Whiteit. Kënga doli në vitin 1978, kur supozohej se panku kishte ndryshuar peizazhin muzikor britanik.

Chris Rea(Foto: Samir Hussein/Redferns)

“Ende njoh gazetarë të cilët nuk më vlerësojnë për shkak të asaj kënge”, tha ai. Epo, ata gazetarë e kanë gabim. Rea ishte talent i jashtëzakonshëm, që shkroi muzikë me përmasë të gjerë, me inteligjencë dhe imagjinatë, duke u ngritur për t’u bërë një superyll stadiumesh në moshën e tij të mesme. “Në ëndrrën time më të bukur, do të isha një muzikant filmi dhe kompozitor klasik”, më tha ai. “Kjo ishte ajo që doja, por ky zë më doli përpara”.

Ah, zëri. Rea kishte zë të ulët, të rëndë, me tone melankolike dhe të mbushur me ndjesinë e një mençurie të fituar me mund, dhe kur vërtet u bazua te zëri, ai gjeti stilin e vet. Por, kur ishte i ri në Midëlsbrou, duke punuar në biznesin familjar të akulloreve dhe duke ëndërruar arratisjen, ndjeu se zëri ishte pengesë për t’u bërë këngëtar. “Nuk kam zërin që do të doja të kisha”, më tha ai. “Është i thellë, i vështirë, e mbush miksin, pengon që daullet të dalin në pak, gjëra të tilla”.

Kur ishte 21 vjeç, dëgjoi në radio një këngë të vjetër bluz të Charlie Pattonit dhe ajo e mahniti. “Tingëllonte sikur të ishte xhaxhai im”, mendoi ai. Gjëja tjetër që i tërhoqi vëmendjen qe kitara vajtuese. “Ishte tingulli i mjegullt ai që më dridhi”. Një mik muzikant i shpjegoi se ishte kitara bottleneck [interpretim me slide/slajd - shufër çeliku]. “Dy ditë më vonë isha pronar krenar i një kitare Hofner. Nuk kishte bottleneck në dyqanet muzikore të Midëlsbrou, ndaj përdora një nga shishet e llakut të thonjve të motrës së madhe. Ishte rozë metalike dhe u bë slajdi im për dy vjet”.

Rea ishte fillestar i vonshëm, por mësonte i shpejtë. Formoi një grup të quajtur Beautiful Losers - emër i marrë nga një roman i Leonard Cohenit, që ishte “aty ku unë isha mendërisht”. Heronjtë e tij muzikorë përfshinin artistët origjinalë të bluzit, si Blind Willie Johnson dhe Sister Rosetta Tharp, dhe kitaristët Ry Cooder, Joe Walsh dhe Eric Clapton.

Por, Fool (If You Think It’s Over) e futi atë në një rrugë të çuditshme, si një djalosh i pashëm me një zë tërheqës, dhe me një aftësi për të shkruar melodi të rrjedhshme dhe tekste që kanë mendim. “Drejtuesit e kompanisë diskografike donin vetëm zërin. Nuk mund të shkoja përtej kësaj”, më tha ai. Kishte një opinion edhe më të keq për drejtuesit e industrisë muzikore sesa për gazetarët. “Janë tmerrësisht të neveritshëm”, më tha me një buzëqeshje. “Nuk ka fjalë tjetër për ta, sepse kam kaluar një çerek shekulli me njerëz që më gënjejnë”.

Chris Rea(Foto: George Wilkes Archive/Hulton Archive)

Rea për shumë vite pati një karrierë mesatare, i tallur nga kritikët muzikorë dhe i nxitur nga drejtuesit e kompanive diskografike për të krijuar vazhdimësi të hitit të tij të vetëm ndërkombëtar. Megjithatë, në fund të të tridhjetave e gjeti disi ritmin e vet - me një stil më bluz, më të rëndë dhe më të pasur që nxori në pah mendimin dhe mjeshtërinë e tij. The Road to Hell ishte albumi që e shndërroi në superyll - kënga kryesore ishte një këngë ogurzezë dhe e zymtë për ngecjen në trafik. Ai e dinte saktësisht ku i erdhi ideja për këngën: “Në [rrugën] M4 kthehesh për të shkuar në M25, duke dalë nga Londra. Duhet të vendosin një pllakë të kaltër aty”.

I ngecur në trafik për katër orë e gjysmë, këngën e kompozoi në kokë duke përmbledhur gjendjen e çdo udhëtari të bllokuar, por duke i shtuar një frymë gospeli, thuajse kërkonte shpëtim nga ky ferr automobilistik. Kompania e tij diskografike fillimisht e refuzoi (“Kam një faks nga një prej ‘djemve të mëdhenj’ që thotë se Road to Hell do të dalë veç mbi trupin tim të vdekur”), por Rea nguli këmbë. Ajo ia dha atij hitin e parë numër një, në vitin 1989, kur ishte 38 vjeç.

Chris Rea bëri 25 albume në karrierën e tij, dhe pati shumë hite në stile të ndryshme, përfshirë I Can Hear Your Heartbeat, Stainsby Girls, Josephine, On the Beach, Let’s Dance dhe Julia. Pati një hit të madh - tashmë të përhershëm sezonal - në vitin 1988 me Driving Home For Christmas (një nga këngët e preferuara të Krishtlindjes për Cliff Richardin, siç më tha vetë Cliffi një herë).

Është ndoshta ironike që dy nga këngët më të mëdha të Reas ishin për udhëtime të gjata dhe të ngadalta me makinë, sepse ai ishte adhurues dhe koleksionues i makinave të shpejta. Shkroi dhe kompozoi muzikën për La Passione, në vitin 1996 - një film autobiografik për obsesionin e një djali me garat me makina. Ishte gjithashtu një piktor i talentuar në teknikën vaj në pëlhurë, dhe makinat ishin shpesh subjekt i pikturave të tij. Ai më tha se “kreativiteti nuk është talent, është gjendje”. Duhej të mbante veten të angazhuar, gjatë gjithë kohës. “Pikturoj, shkruaj, nuk ka asnjë moment, as edhe gjatë pushimeve familjare, që të mos jem duke bërë diçka”.

Nëse është kështu, gjendja e Reas ishte diçka që adhuruesit e tij e vlerësuan. Por, gjatë jetës vuajti shumë nga shëndeti, me episode të përsëritura të kancerit të pankreasit, ulcera stomaku dhe diabet. Një goditje në tru në vitin 2016 ishte pengesë e përkohshme, por u kthye shpejt në studio dhe në skenë. Pasioni i tij për muzikën dukej se rrezatonte nga ai.

Gjatë pasdites që kaluam së bashku, bëmë një shëtitje nëpër “Abbey Road”, ndërsa ai fliste me entuziazëm për muzikantët e mëdhenj të xhazit dhe bluzit, për stile të ndryshme të interpretimit në kitarë, dhe ndaluam shkurtimisht për të testuar jehonën në një dhomë të vogël ku Beatles (dhe siç theksoi Chris, edhe Cliff Richard) kishin incizuar vokalet. Isha me fat të dëgjoja atë zë të thellë, të rëndë, por ende të pasur, që më kthehej nga muret. Si shumë njerëz, do ta dëgjoj atë zë sërish gjatë Krishtlindjes - dhe për një kohë edhe më të gjatë.

***

Pesë këngët esenciale të Chris Reas

Nga: Ed Power
Përkthimi: Telegrafi.com

1. I Can Hear Your Heartbeat (1983)

I Can Hear Your Heartbeat (1983)

Një nga këngët më të bukura të incizuara ndonjëherë, balada e ndjeshme e Reas fuqizohet nga vokalet që shkaktojnë dhembje përmes butësisë. Edhe pse Rea ishte më krenar për interpretimin e tij në kitarë dhe i shpërfillte hitet e tij pop, I Can Hear Your Heartbeat vërtetoi se kur ai hapte shpirtin, pak kompozitorë mund të shkaktonin emocione kaq të forta.

2. Fool (If You Think It’s Over) (1978)

Fool (If You Think It’s Over) (1978)

Një nga hitet e para të Reas, kjo këngë e ndarjes, thellësisht e çiltër, ishte prezantim i përkryer për një zë njëkohësisht të ashpër dhe ekspresiv, stoik dhe të ndjeshëm. Frymëzuar nga ndarja e motrës së tij, ishte sukses i ngadaltë i cili me kalimin e kohës e hodhi Rean në një nivel yllësie të cilin ai kurrë nuk e kishte kërkuar. U rrit duke ëndërruar të bëhej muzikant bluzi - dhe e kishte shkruar këngën duke e pasur në mendje këngëtarin e gospelit, Al Green. “Është e vetmja këngë ku nuk kam luajtur në kitarë, gjë që tregon diçka për shpirtin e saj. Për më tepër, ishte një hit i madh”, ka thënë ai. “Kështu që nuk kisha çfarë të bëja. Ishte sikur: ‘Ky nuk jam unë’”!

3. On the Beach (1986)

On the Beach (1986)

Kjo elegji medituese u keqkuptua gjerësisht kur u publikua, si një këngë e lehtë për dëgjim - muzikë ashensorësh e zbukuruar me interpretimin mjeshtëror të Reas në kitarë. Në të vërtetë, ishte një letër shpirtërore dashurie për bukurinë e natyrës, frymëzuar nga ishulli i Formenterës dhe kohët e lumtura që kaloi atje me bashkëshorten e tij, Joan. E rrjedhshme si një koktej i shijuar mbi shezlong dhe e ngrohtë si dielli i mbrëmjes, dhimbja e ëmbël e saj i dha cilësinë e një peizazhi të pikturuar me muzikë.

4. The Road to Hell (1989)

The Road to Hell (1989)

Rea nuk e kishte shijuar shumë jetën si yll popi - nuk e pëlqente idenë se ishte aty për të argëtuar publikun, në vend që të komunikonte me ta në një nivel muzikor. Ai i derdhi ato zhgënjime në albumin The Road to Hell - i konsideruar nga shumica si kryevepra e tij - dhe, në veçanti, në këngën me të njëjtin titull që shërben si një paralajmërim kundër paqëndrueshmërisë sociale dhe politikës përçarëse që Rea parashikonte se po vinte.

5. Driving Home for Christmas (1986)

Driving Home for Christmas (1986)

Rea u frymëzua për të shkruar këtë klasik festiv me tinguj bluzi, kur ai dhe bashkëshortja e tij mbetën të bllokuar në dëborë jashtë Notingemit, në dhjetor të vitit 1978. “Na ndodhte shpesh të ngecnim në trafik”, ka thënë ai. “Shikoja shoferët e tjerë, që dukeshin të gjithë po aq të dëshpëruar. Për shaka nisa të këndoj: We’re driving home for Christmas ... Pastaj, sa herë që dritat e rrugës ndriçonin brendësinë e makinës, fillova të shkruaja tekstin”. Në atë kohë, Rea po përpiqej të afirmohej si një muzikant serioz dhe kishte frikë se një këngë për Krishtlindje do ta kategorizonte si artist zbavitës. Vite më vonë, pasi kishte pushtuar industrinë muzikore, i riktheu ato vargje të shkruara dhe krijoi një këngë të zjarrtë dhe plot ndjenja që mbërthen ndjesinë thuajse universale të rikthimit në shtëpi te njerëzit e dashur. Shumica e këngëve moderne të Krishtlindjes shoqërohen me një dozë “boze” - por, këtë herë ishte një reflektim i thellë mbi kënaqësinë e ribashkimit me familjen.

/Telegrafi/