Ilir Tasholli tërhiqet nga kandidatura për kryetar të Lipjanit dhe lë funksionet në AAK
Ilir Tasholli ka njoftuar tërheqjen nga kandidatura për Kryetar të Komunës së Lipjanit si dhe dorëheqjen nga të gjitha funksionet që ka ushtruar deri më tani brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Tasholli përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku ka theksuar se vendimi është i vështirë, por i nevojshëm në këtë fazë të jetës së tij politike.
“Ky vendim nuk ka qenë i lehtë, por është marrë me bindjen se në këtë fazë, një hap i tillë është më i miri për rrugëtimin tim të mëtejmë. Falënderoj me zemër të gjithë bashkëpunëtorët, miqtë dhe qytetarët që më kanë mbështetur pa hezitim ndër vite – në sfidat lokale dhe ato qendrore. Mbështetja juaj ka qenë motivimi më i madh në çdo angazhim timin,” ka shkruar Tasholli.
Ai ka nënvizuar se megjithëse tërhiqet për momentin nga skena politike, angazhimi për të mirën e qytetarëve nuk përfundon këtu, duke lënë të hapur mundësinë për rikthim në të ardhmen.
Ky vendim i Tashollit vjen në një kohë kur përgatitjet për zgjedhjet lokale janë intensifikuar dhe pritet të ndikojë në skenën politike në komunën e Lipjanit, veçanërisht brenda AAK-së.




























