Ilir Berisha rrëfen karrierën në “Arena e Yjeve” – nga Prishtina e deri te futbolli suedez dhe ftesa nga Shqipëria

Në episodin e radhës të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, mbështetur nga Golden Eagle dhe Air Munich, i ftuar është ish-futbollisti kosovar Ilir Berisha, një emër i njohur për kontributin e tij në futbollin kosovar dhe atë suedez.
Berisha ndau rrëfimin e plotë të karrierës së tij, duke filluar nga hapat e parë në futboll në Gjermani dhe më pas rikthimi në Kosovë, ku nisi të luante për FC Prishtinën në moshë shumë të re.
Ai rrëfen për përvojat e para në prova me disa klube evropiane, përpara se të transferohej në Suedi te skuadra Orebro, ku pati përballje me futbollistë të njohur shqiptarë.
Në bisedë, Berisha ndalet edhe te ftesa nga Shqipëria dhe biseda e paharruar me trajnerin Gianni De Biasi përpara ndeshjes me Norvegjinë.
Po ashtu, ai shpjegon arsyet pse transferimi i tij te Monaco nuk u realizua dhe si një dëmtim gjatë ndeshjes festive Kosovë–Shqipëri ndikoi në ecurinë e karrierës.
Një moment tjetër interesant është historia e transferimit të dështuar në Kinë, ku pasaporta e humbur i kushtoi miliona euro.
Në podcast, Berisha flet edhe për eksperiencat me Flamurtarin, Feronikelin dhe për vendimin për t’u pensionuar në Suedi, aty ku jeton edhe sot.
Pjesa e fundit e bisedës fokusohet në jetën pas futbollit. Berisha ka nisur një fazë të re të karrierës si trajner, duke u përkushtuar tashmë në rritjen e talenteve të rinj.
Emisioni transmetohet të shtunën në orën 17:10 në RTV Dukagjini dhe në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit. /Telegrafi/

































