Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokuroria Themelore në Gjakovë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet L.P., i dyshuar për disa vepra penale, përfshirë kanosje, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 25 janar 2026, në Gjakovë, i pandehuri ishte ndaluar nga zyrtarët policorë për drejtim të rrezikshëm të automjetit. Ai dyshohet se ka refuzuar t’u paraqesë dokumentet, i ka ofenduar dhe i ka kanosur me jetë policët.


Gjatë tentativës për arrestim, L.P. dyshohet se ka bërë rezistencë, ka nxjerrë një armë zjarri dhe më pas një granatë dore me siguresë të hequr, duke i drejtuar ato në drejtim të zyrtarëve policorë, para se të largohej nga vendi i ngjarjes. Sipas dosjes së rastit, veprimet e tij kanë shkaktuar frikë dhe pasiguri serioze. Ai është dorëzuar më 23 shkurt 2026.

Po ashtu, gjatë bastisjes në lokalin e tij “K.K. b. & b.”, janë gjetur dhe sekuestruar pajisje për përgatitje të narkotikëve si dhe rreth 2 gram substancë e dyshuar si marihuanë.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Sipas vendimit, i pandehuri do të mbahet në paraburgim për një muaj, periudhë që llogaritet nga data e arrestimit më 23 shkurt 2026 deri më 25 mars 2026.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykata e Apelit e Kosovës./Telegrafi.