I harruar nga të gjithë, ish-ylli i Barcelonës po lufton t’i rikthehet futbollit pas tri vitesh mungesë

Gerard Deulofeu nuk ka luajtur që nga janari i vitit 2023 për shkak të një dëmtimi të tmerrshëm në gju, por mbetet shpresëplotë për t'u rikthyer në fushë, duke u frymëzuar nga mbështetja e familjes dhe tifozëve të tij.
Në një intervistë të hapur me The Guardian, ish-sulmuesi anësor i Barcelonës dhe Evertonit , Gerard Deulofeu, ndau atë që ai e përshkruan si "ndoshta rikuperimi më i vështirë në historinë e futbollit", ndërsa përpiqet të rikthehet në lojë pas tre vitesh mungesë.
Spanjolli nuk është shfaqur në një ndeshje zyrtare që nga janari i vitit 2023.Karriera e lojtarit të talentuar u rrezikua nga një dëmtim i rëndë në gju që u shndërrua në një makth.
Gjatë operacionit, një infeksion hyri në trupin e tij, duke shkatërruar kërcin dhe duke penguar një rikthim të shpejtë.
Pavarësisht sfidave të mëdha dhe parashikimeve të zymta, Deulofeu refuzon të dorëzohet.
Ai ka mbështetjen e ish-klubit të tij, Udinese, i cili, edhe pasi kontrata e tij përfundoi në janar 2025, i lejoi atij të përdorte mjediset e klubit për rehabilitim.

Deulofeu, një produkt i akademisë së famshme të Barcelonës, La Masia, ka luajtur për Everton, Sevilla, Ëatford dhe klube të tjera gjatë karrierës së tij.
Motivimi i tij kryesor për t'u rikthyer është që t'i lejojë fëmijët e tij ta shohin duke luajtur, si dhe përkushtimi i tij ndaj tifozëve të Udineses.
Ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt, lufta e përditshme e Deulofeut për të ringjallur karrierën e tij është tashmë një histori e jashtëzakonshme.
Kthimi i tij i mundshëm në fushë mund të bëhet një nga rikthimet më frymëzuese në futbollin modern./Telegrafi/



















































