I dërguari i Trumpit takohet fshehurazi me princin iranian

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, u takua fshehurazi me princin iranian, Reza Pahlavi gjatë fundjavës për të diskutuar protestat në Iran, raportoi Axios, duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.
Administrata Trump u habit kur gjatë shumë demonstratave protestuesit brohoritën emrin e princit, përsëri duke cituar një zyrtar të lartë amerikan.
“Ka pasur një rritje të popullaritetit të Pahlavit. Ata po brohorasin emrin e tij në demonstrata në shumë qytete, dhe duket se kjo po ndodh organikisht”, u citua të ketë thënë zyrtari amerikan.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje protestuesve iranianë që të marrin nën kontroll institucionet e vendit.
Ai i quajti protestuesit “patriotë iranianë” dhe i inkurajoi ata të mos dorëzohen përballë represionit.
Trump u kërkoi gjithashtu që të dokumentohen dhe të ruhen emrat e atyre që janë përgjegjës për vrasjet dhe abuzimet ndaj protestuesve, duke theksuar se këto veprime nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi.
Ndryshe, iranianët po protestojnë për shkaqe ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/





















































