Stefon Diggs, ylli i New England Patriots dhe partneri i reperes Cardi B, me të cilën së fundmi ka mirëpritur një fëmijë, po përballet me akuza të rënda për dhunë ndaj kuzhinieres së tij personale. Ai raportohet se është akuzuar për tentativë mbytjeje dhe sulm, lidhur me një incident që thuhet se ka ndodhur më 2 dhjetor.

Sipas një raporti policor që, siç thuhet, ka siguruar New York Post, kuzhinierja ka deklaruar se lojtari 32-vjeçar e ka goditur dhe e ka shtrënguar në fyt deri në humbje të vetëdijes, në shtëpinë e tyre në Dedham, e cila vlerësohet rreth 2.5 milionë dollarë. Ajo pretendon se Diggs e ka qëlluar në fytyrë pas një debati që kishte të bënte me pagesën e saj.


Në një nga mesazhet që Diggs dyshohet se ia ka dërguar, thuhej: “Unë nuk do të të paguaj. Nuk jam i detyruar. Nuk më intereson. A je e çmendur?”.

Në raportin policor më tej theksohet: “Burri më pas ka tentuar ta mbytë duke përdorur bërrylin e tij rreth qafës së saj. Ajo tha se ai gjendej pas shpinës së saj, me dorën e mbështjellë rreth qafës”.

Sipas deklarimeve të saj, ajo ka ndier vështirësi në frymëmarrje dhe ka menduar se mund të humbiste ndjenjat. Ndërsa përpiqej të largohej, ai – sipas saj – ka shtrënguar edhe më fort. Në atë moment, thuhet se ai e ka hedhur mbi shtrat, duke i thënë diçka të ngjashme me: “E dija.” Kur ajo i ka kujtuar se ende nuk ishte paguar, ai është përgjigjur “gënjeshtra” dhe është larguar nga dhoma.

Nga ana tjetër, avokati i Diggs, David Meier, ka deklaruar se futbollisti “i mohon kategorikisht këto akuza”.

“S janë të vërteta, janë të pabazuara dhe nuk janë hetuar kurrë — sepse nuk kanë ndodhur,” u shpreh Meier. “Koha dhe motivi i këtyre pretendimeve janë plotësisht të qarta: ato vijnë si rezultat i një mosmarrëveshjeje financiare mes punëdhënësit dhe punëmarrëses, e cila nuk është zgjidhur sipas dëshirës së saj. Stefon mezi pret që e vërteta të qartësohet në gjykatë,” shtoi ai. /Telegrafi/