Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë konfirmuar se nga Jemeni është lëshuar një raketë drejt jugut të Izraelit. Kjo përbën sulmin e parë të drejtpërdrejtë nga Huthit jemenas, të mbështetur nga Irani, që nga fillimi i operacionit “Roaring Lion” një muaj më parë (28 shkurt).

Sulmi aktivizoi sirenat në të gjithë Beershebën dhe vendbanimet përreth në shkretëtirën Negev, ndërsa ushtria izraelite pretendon se sistemet e mbrojtjes ajrore reaguan me sukses për të neutralizuar kërcënimin.


Banorëve fillimisht iu kërkua të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm, por IDF më pak se 15 minuta më vonë njoftoi se ishte e sigurt të dilnin nga strehimoret në të gjithë vendin. Sipas informacioneve të para, nuk ka raportime për viktima apo goditje direkte, shkruan skynews.

Ky sulm me raketë vjen menjëherë pasi një zëdhënës i Huthive paralajmëroi hyrjen në luftë në Lindjen e Mesme nëse vazhdojnë sulmet ndaj Iranit.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, Yahya Saree, zëdhënës i forcave të armatosura jemenase (fraksioni ushtarak i Huthive), theksoi se “gishtat e tyre janë në këmbëz për ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake” nëse plotësohet ndonjë nga kushtet e mëposhtme: nëse ndonjë shtet tjetër i bashkohet SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit; nëse Deti i Kuq përdoret “për operacione armiqësore të Amerikës dhe Izraelit kundër Republikës Islamike të Iranit dhe çdo vendi mysliman”; si dhe në rast të “vazhdimit të përshkallëzimit” kundër Iranit.

Saree shtoi se gatishmëria e tyre është përgjigje ndaj “agresionit të vazhdueshëm të armikut amerikan dhe izraelit kundër Iranit, Palestinës, Gazës, Irakut dhe Libanit”. Huthit, të cilët e konsiderojnë veten pjesë të “boshtit të rezistencës” të udhëhequr nga Irani, më herët kanë kërcënuar me sulme të koordinuara së bashku me grupe të tjera pro-iraniane si Hamasi dhe Hezbollahu libanez.

Megjithëse Huthit deri tani kanë shmangur përfshirjen direkte në këtë konflikt konkret, një nga liderët e tyre anonim deklaroi dje se grupi është i gatshëm të mbështesë përpjekjet luftarake të Teheranit.

“Jemi plotësisht të gatshëm ushtarakisht me të gjitha opsionet. Sa i përket përcaktimit të ‘orës zero’, kjo i lihet udhëheqjes. Po ndjekim zhvillimet dhe do ta dimë kur është momenti i duhur për të vepruar”, tha lideri i Huthive, duke shtuar se Irani për momentin “po e mposht armikun”, por ata janë të gatshëm të reagojnë nëse situata ndryshon.

Sulmi i së shtunës mund të sinjalizojë hapjen e një fronti krejtësisht të ri, duke nxitur frikë për thellimin e krizës globale ekonomike dhe të naftës. Gjatë konflikteve të mëparshme në Gazë, Huthit kanë sulmuar rregullisht anije tregtare në Detin e Kuq, duke shkaktuar krizë globale në transportin detar dhe tregti.

Situata është tensionuar edhe më tej pasi Irani të mërkurën paralajmëroi se do të “ndërmarrë veprime” në ngushticën strategjike Bab el-Mandeb, që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit, nëse provokohet. /Telegrafi/