LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Përkrahja e Gjermanisë, jetike për liberalizimin e vizave

Hoxhaj: Përkrahja e Gjermanisë, jetike për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me agjendën diplomatike në kuadër të margjinave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke takuar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Walter Steinmeier dhe atë të Tajlandës, Don Pramudwinai.

Në këto takime të ndara, Hoxhaj i ka informuar homologët për progresin e Kosovës dhe nevojën për mbështetjen e këtyre shteteve edhe në të ardhmen si në agjendën evroatlantike por edhe të betejave të ardhshme diplomatike për njohje dhe anëtarësim në organizata, transmeton Telegrafi.

Pata takim shumë të mirë me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Steinemier i cili është një mbështetës i madh i Kosovës. Në javët e ardhshme, përkrahja e tij dhe e Gjermanisë është jetike për të marrë vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Ndërsa me Tajlandën, biseduam si të nisim një etapë të re të marrëdhënieve që mund të jetë në të mirë të përbashkët të dy vendeve” , ka thënë Hoxhaj, njofton MPJ.


Po ashtu, ministri i Jashtëm do të vazhdojë me takime të tjera në New York, ku gjatë javës që shkoi së bashku me Kryeministrin Mustafa kanë zhvilluar mbi 60 takime të karakterit bilateral dhe multilateral.

Në fokus të agjendës së tyre ka qenë zgjerimi dhe forcimi i sovranitetit të Kosovës, njohja diplomatike dhe thellimi i raporteve bilaterale me disa shtete mike që e kanë njohur Kosovën. /Telegrafi/