Sot u mbushën 21 vjet nga tragjedia e Fushë Arrëzit, ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva, teksa ktheheshin nga një ekskursion në Shqipëri.

Në nderim të tyre, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me përfaqësues të familjarëve, personelit arsimor, disa nga bashkëmoshatarët e asaj gjenerate dhe kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, zhvilluan homazhe në vendin e ngjarjes, përcjell Telegrafi.




Kastrati tha se çdo vit kjo ditë sjell të njëjtën ndjesi dhimbjeje e malli, duke kujtuar se më 14 tetor 2004 Malisheva humbi 15 të rinj plot ëndrra e shpresa.

“Kujtimi për 15 maturantët tanë mbetet i gjallë, i dhimbshëm dhe i shenjtë në zemrat tona. Qofshin të paharruar”, tha Kastrati.

Tragjedia e vitit 2004 mbetet një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur komunën e Malishevës, ndërsa kujtimi për të rinjtë e humbur vazhdon të nderohet çdo vit në Fushë Arrëz. /Telegrafi/