Historia e një fotografie dhe një takimi në Paris: Sartre, Beauvoir, Steinberg dhe Gjon Mili
Në një fotografi të realizuar në Paris, në shtator të vitit 1946, brenda një dhome shihen ulur tri personalitete të njohura të artit e të kulturës botërore, ndërkohë që i katërti po fotografonte.
I pari në anën e majtë të kompozicionit fotografik – dhe më afër fotografit – duket filozofi, dramaturgu, skenaristi, novelisti, aktivisti politik, biografi dhe kritiku letrar francez Jean-Paul Sartre, që rri ulur pranë tavolinës së punës me një grumbull letrash para e duke e mbajtur një stilograf në dorën e djathtë – mes gishtit tregues dhe gishtit të mesëm. Filozofi botërisht i njohur, portreti i të cilit duket vetëm në profilin e tij të djathtë, mban syze me korniza të rrumbullakëta, ndërsa në buzë ka të varur një cigare të markës franceze “Gauloises Bleues” – pakoja e së cilës rri e hapur mbi tavolinë. Shikimi i tij prej mendimtari rri i fiksuar diku në ndonjë pikë të dhomës, përballë tij, kurse rrudhat e theksuara mbi ballin e filozofit zbulojnë lodhjen dhe rraskapitjen intelektuale e shpirtërore.
Në krahun e majtë të Sartrit, ulur në një kolltuk lëkure pranë dritares së madhe me perde të mbledhura anash dhe me kangjella të bukura nga ana e jashtme, rri gruaja e tij e jetës: shkrimtarja, intelektualja, filozofja ekzistencialiste, aktivistja politike, feministja dhe teoricienia sociale franceze Simone de Beauvoir. Fotografi atë e zuri me gotë në buzë, por me shikim drejt tij.
Personi i tretë në këtë fotografi interesante dhe të bukur, që rri ulur në një karrige përballë fotografit duke shikuar drejt në të, është karikaturisti dhe ilustruesi i njohur rumun-amerikan, Saul Steinberg, i cili me bashkëshorten Heda atë fundvere udhëton nga Nju-Jorku për në Paris vetëm për ta njohur Sartrin. Steinbergu, i cili, po ashtu, mban syze me korniza të rrumbullakëta, i mban këmbët kryq dhe mbi gjurin e djathtë ka një bllok vizatimi ku duket se po e vizaton Milin (ky vlerësim vjen për një arsye të fortë, të cilën do ta përmendi pak më vonë në këtë shkrim).
Si ndodhi që fotografi shqiptaro-amerikan me famë botërore, Gjon Mili, të jetë mysafir në shtëpinë e filozofit të njohur francez, shtëpi të cilin e kishte blerë rishtas në lagjen e njohur parisiene “St. Germain” (menjëherë pas kthimit nga turneu ekzistencialist në ShBA, ku kishte fituar para të majme nga ligjëratat e shumta nëpër universitetet amerikane dhe për-mes artikujve të shkruara nga atje për gazetat e revistat franceze)?
Mili i kishte dy arsye të forta për të shkuar në Paris në fund të shtatorit 1946.
Arsyeja e parë kishte të bënte me detyrën që redaktori i revistës “LIFE” ia ngarkoi: që në tetor të atij viti t’i ndiqte punimet përfundimtare të Konferencës së Paqes, ku temë kryesore ishte zbutja e armiqësisë dhe arritja e paqes mes dy superfuqive botërore, BRSS-së dhe ShBA-së (në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe kryeministri komunist shqiptar, Enver Hoxha, të cilit Mili arriti t’ia realizonte një portret nga distanca).
Arsyeja e dytë ishte organizimi i ekspozitës së tij të parë në kryeqendrën franceze dhe në përgjithësi në Evropë, që do të qëndronte e hapur në “Galerie du Bac” nga 1-10 tetor 1946. Ekspozita, siç shkruan në pjesën e brendshme të katalogut, u organizua nga shërbimet sekrete të Francës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mili kishte dëgjuar për Sartrin gjatë vizitës së tij të bujshme në ShBA, një vit më herët (1945), ndërsa tash që gjendej në qytetin e tij, donte t’ia realizonte ndonjë portret. Takimi mes dy gjenive të kohës ishte shumë miqësor dhe frytdhënës.
Sartri u mrekullua me artin fotografik të Milit, veçmas me serinë “Dancers in Movement” (Vallëzuesit në lëvizje), të realizuar me teknikën inovative të stroboskopisë – ndaj vendosi ta shkruajë fjalën inauguruese të ekspozitës së tij! Mili u entuziazmua pa masë me këtë njoftim, sepse ishte nder i jashtëzakonshëm që shkrimi i filozofit më në zë të asaj kohe të vendosej në katalogun e ekspozitës dhe se me të do të bëhej paraqitja e parë para publikut parisien.
Nuk duhet lënë pa përmendur se kopertina e këtij katalogu katërfaqësh u ilustrua me karikaturën e Saul Steinbergut, ku shihej Gjon Mili duke fotografuar dy valltarë.
Në vazhdim po ua ofroj shkrimin e Sartrit, që përmbledh më së miri karakterin krijues të Gjon Milit:
“Mili ka kokë si të dashit; e ka një hundë me të cilën e nuhatë botën para tij e që, papritmas, duket sikur do ta fusë në një grumbull milingonash. E pastaj, ndër atë hundë, shumë më thellë, shihen ato pak mustaqe. Me pjesën tjetër të fytyrës – të syve dhe të mollëzave, të flokëve të shpupurishur – më tepër i ngjason një banditi malazias. Gjithsesi, është gjuetar dhe grabitqar. Para se ta takoja, i njihja veç fotografët anemikë që fotografojnë plot dëshpërim vrasjen e dikujt.
Mili nuk ka naze; preferon çdo gjë: ushqimin, pijen, vallëzimin; Harlemin e njeh më mirë se çdo i bardhë tjetër; Nju-Jorkun më mirë se çdokush tjetër.
Duket i lumtur. Nuk dëshiron të vrasë, por edhe më keq: ai të do të gjallë. Në portretet tuaja më të mira dukeni i vdekur dhe i balsamuar; i ruajtur në hiposulfat, ashtu siç në fund do t’ju ndryshojë përjetësia.
Mili të kapë të gjallë, në gjendje të ngurtësuar; ti vazhdon të përpëlitesh në fotografinë e tij, mu si peshku në rrjetë; si zhongleri i jashtëzakonshëm dhe i gjatë, që e vazhdon melankolinë për ta kom-pozuar imazhin me topat që dalin si në gjysmë lëvizje, që duken si llum e ndonjëherë si baltë plotësisht e tëholluar; apo si valltarët e zinj të vendosur në një kafaz që kot hidhen lart për të dalë nga aty; ose si ajo gruaja lakuriq që duket se shihet nga mijëra sy të një mize.
Ai është një burrë që të kurthon: për t’ju nxjerrë nga zona e mbrojtjes, përdor marifete prej prestigjatori.
Nuk mjaftohet të fotografojë njerëz të famshëm, sepse ai bën që secila fotografi të jetë një sprovë: sipas tij, ka po aq mënyra për t’u fotografuar sa ka edhe njerëz. Nëse viheni në këtë lojë, jo vetëm që do t’ju gozhdojë për së gjalli në koleksionin e tij, por madje do t’ju sodisë. Do t’ju njohë: pa dyshim, do të dorëzoheni dyfish në duart e tij.
Primitivët e Deteve të Jugut (Paqësori jugor – v. j.) thonë se nuk duan të fotografohen, sepse u duket sikur kapen e robërohen përgjithmonë. Shikojeni foton e Molotovit të shkrepur nga Mili dhe do ta kuptoni urtësinë e tyre”.
Jean-Paul Sartre
/Revista “Akademia”/Telegrafi/
Burimet:
1. Sandrine Berges, Bilkent Philosophy. a.d. http://www.phil.bilkent.edu.tr/. 22 11 2019
2. Michel Contat dhe Michel Rybalka, The Writings of Jean-Paul Sartre, A Bibliographical Life, Volume 1. Evanston : Northwestern University Press, 1974
3. Andy Martin, Sartre and Camus in New York. The New York Times, (2012)
4. Mili Gjon, Galerie du Bac. Jean-Paul Sartre présente. Paris, 1946
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme