LAJMI I FUNDIT:

Historia e ardhjes së hebrenjve në trojet shqiptare

Historia e ardhjes së hebrenjve në trojet shqiptare

Siç është vërtetuar nga dokumentet e gjetura, hebrenjtë janë dukur në trojet shqiptare në shekujt e Mesjetës, por nuk përjashtohet mundësia që ata të kenë ardhur edhe më para se të fillonte dëbimi i tyre nga Spanja më 1492.

Në fund të shekullit të XIX, në Shqipëri erdhi një grup hebrenjsh nga Selaniku, të cilët u vendosën në qytetet bregdetare. Por, me kalimin e kohës depërtuan edhe në qytete të tjera si në Gjirokastër, Korçë, Fier etj., ku fituan nënshtetësinë shqiptare, përvetësuan gjuhën, zakonet dhe kulturën shqiptare dhe u shkrinë në përbërjen e popullsisë vendase, duke ruajtur kombësinë dhe lidhjet midis tyre.

Individë të veçantë dhe grupe të vogla hebrenjsh kanë ardhur në Shqipëri edhe në vitet 1915 e 1925 dhe në fillim te viteve ’30 të shekullit të kaluar. Gjithsesi, sipas burimeve historike, ata erdhën në Shqipëri në dy mënyra: pjesa me e madhe erdhi me transferim të vendpërqendrimit dhe një pjesë si të arratisur.


Antisemitizmi ose ndjekja e hebrenjve mori përmasa te mëdha dhe një egërsi të papërmbajtur pas ardhjes në fuqi të fashizmit në vendet e Ballkanit. Kjo është një nga arsyet që hebrenjtë e këtyre vendeve, sidomos ata të Jugosllavisë, kërkuan të vinin në Shqipëri posa panë që ju afrua rreziku fashist.

Gjithsej, gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç vërtetohet nga dokumentet e gjetura, në Shqipëri kanë ardhur 597 hebrenj, nga të cilët 121 vetë erdhën gjatë viteve 1941-1942, kurse pjesa tjetër në vitin 1943. Ardhjen e tyre në Shqipëri, si hebrenj të ardhur ne formë internimi dhe ilegalisht, e konsideruan fat të madh.

Ata e dinin se edhe në Shqipëri do të gjenin pushtuesit fashistë e nazistë, por shpresonin shumë në mbështetjen dhe përkrahjen e popullit shqiptar. Se çfarë i shtynte ata të vinin në Shqipëri dhe ta shikonin atë si një vend ku mund të shpëtonin nga shfarosja e ku do të gjenin mbështetjen popullore, kjo del nga vetë pohimet e tyre, si përpara autoriteteve kufitare shqiptare, ashtu edhe nga bisedat e mëvonshme me ta apo edhe nga deklaratat e tyre dhënë shtypit tonë.

Hebrenjtë e ardhur në Shqipëri gjatë luftës, ishin në një gjendje të vështirë edhe nga ana ekonomike. Veç rrobave te trupit nuk prunë asgjë me vete. Këtë e dëshmojnë edhe procesverbalet e mbajtura nga autoritetet kufitare gjatë hyrjes në Shqipëri. Për të dale nga kjo gjendje e vështire, aq me tepër nga gjendja politike, atyre u erdhi në ndihmë populli shqiptar me bujarinë, humanizmin dhe mikpritjen tradicionale.

Edhe në Shqipërinë e pushtuar nga nazifashistët, u lëshuan urdhra dhe dekrete për ndjekjen e hebrenjve, filloi survejimi i rreptë për zbulimin dhe lëvizjet e tyre, pastaj dhe përpjekjet për t’i shfarosur.

Kështu, Ministria e Punëve të Brendshme kërkoi nga të gjithë prefekturat ku ishin përqendruar hebrenjtë që brenda pesë ditëve ata të nxirreshin nga toka shqiptare. Ju kërkua te gjithëve të hetonin e te jepnin të dhëna nëse kishin hebrenj të strehuar. Por, nuk u denoncua asnjë sepse ata i mbronte populli. Shqipëria nuk figuroi në listën e vendeve ku janë shfarosur qindra hebrenj.

Duke patur një armik të përbashkët, nazizmin gjerman, edhe hebrenjtë morën krahun e popullit shqiptar në luftën kundër nazi-fashizmit. Edhe mbasi u larguan nga Shqipëria për në vendbanimet e përhershme te tyre, hebrenjtë nuk e harruan atë që bëri populli shqiptar për ta.

Në një letër përshëndetjeje që bëri Komiteti i Hebrenjve të Jugosllavisë, shkruhej: “Në historinë e kësaj lufte botërore do mbetet i shënuar një popull i vogël, por bujar dhe heroik, populli shqiptar, i cili do të shënohet si i vetmi ndër popujt e okupuar të Evropës që pengoi dhe ndaloi shfarosjen e ndjekjen e hebrenjve”. /Shqiptarja/