LAJMI I FUNDIT:

HIQ DORË

HIQ DORË

Tregim nga: Franz Kafka
Përktheu: Gjergj Vlashi

Ishte mëngjes herët, rrugët qenë të pastruara e të zbrazura.

Po shkoja te stacioni. Kur krahasova orën time me një orë të madhe, vura re se ishte më vonë se sa kujtoja: duhej të nxitoja! I trembur nga ai zbulim, harrova rrugën, ngaqë nuk e njihja mirë atë qytet. Për fat, aty pranë vura re një polic; iu afrova me vrap dhe duke m’u marrë fryma e pyeta çfarë rruge të ndiqja. Ai më pyeti buzagaz:


– Nga unë kërkon të mësosh rrugën që duhet të ndjekësh?

– Po, iu përgjigja, derisa nuk mund ta gjej vetë.

– Atëherë hiq dorë! Hiq dorë! – tha ai dhe më ktheu shpinën, siç bën një njeri i cili do të qeshë pa e parë askush.