“Hidrodrini” apelon për nënshkrimin e kontratave, afati drejt përfundimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU Hidrodrini ka rikujtuar konsumatorët në zonën e saj të shërbimit se kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e afatit për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale.
Sipas njoftimit të menaxhmentit rajonal, shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunat Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik ofrohen mbi bazën e kontratës së shërbimit me konsumatorin, andaj kërkohet që kjo marrëdhënie të formalizohet në përputhje me rregullat në fuqi.
“Të nderuar konsumatorë, shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit nga KRU ‘Hidrodrini’, në tërë zonën e mbulueshmërisë, ofrohen mbi bazën e kontratës së shërbimit me konsumatorin”, thuhet në njoftim.
Nga kjo kompani theksohet se për vazhdimin e furnizimit sipas standardeve dhe rregulloreve në fuqi, është e domosdoshme nënshkrimi i kontratës përkatëse.
“Mos-nënshkrimi i kontratës nënkupton refuzimin e këtyre shërbimeve”, bëhet e ditur më tej.
KRU “Hidrodrini” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që të respektojnë afatin e përcaktuar dhe të përfundojnë procedurat e nevojshme për të shmangur ndërprerje të mundshme të shërbimeve. /Telegrafi/





















































