Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka ndarë një rrëfim rrëqethës për përjetimin e saj nën terrorin e forcave serbe, duke treguar për dhunimin që e përjetoi brenda një xhamie në fshatin ku ishte strehuar bashkë me të afërmen e saj.

Rrëfimi u bë publik në ciklin e emisioneve dokumentare të Debat Plus, “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, ku viktima, tashmë grua e mbijetuar, ndau emocionet dhe plagët që ende i mbart pas më shumë se dy dekadash.


“Kemi qenë me një grumbull njerëzish, na grumbulluan në një xhami, kishte shumë popullatë, ne nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Qanin burra, gra, fëmijë. Ua merrnin burrat përpara, i ndanin gratë, fëmijët bërtisnin… ishin të rraskapitur, pa ngrënë, pa pirë, duke na çuar nga një vend në tjetrin. Në xhami ndodhi më e keqja, aty kam përjetuar dhunimin. Në mënyrë çnjerëzore. Vetëm një njeri pa ndjenja mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ajo, e tronditur.

Ajo tregoi se në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç, kur një paramilitar serb e dhunoi seksualisht, ndërsa një tjetër ruante derën. Sipas saj, fytyrat e tyre ishin të ngjyrosura, gjë që e bënte të pamundur njohjen apo identifikimin e tyre.

“Ai është një përjetim që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Çdo herë e gjykon veten, pse ndodhi, si ndodhi, çka do të ndodhte po të mos isha aty. Por kur ndodh, duhet të përballesh. Të zhveshin me thikë, nuk ke fuqi të mbrohesh. Je e pambrojtur. Po të isha e veshur si ushtare, ndoshta do të më vrisnin dhe familja do të më kujtonte si dëshmore, jo si…”, vazhdoi ajo mes emocioneve të rënda.

Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur plagët e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të mbesin të hapura për shumë gra dhe burra në Kosovë. Ajo kërkon drejtësi, kujtesë dhe njohje të dhimbjes që i është shkaktuar, duke thënë se heshtja vazhdon të jetë një formë e dytë e dhunës.